Hën. Dhj 23rd, 2024

Njohja nga pesë vendet e BE-së, parakusht që Kosova të hyjë në agjendën legjislative për anëtarësim

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) shihet si një hap pozitiv dhe sfidues për të testuar reagimin e BE-së, por pengesat politike dhe ligjore mbeten të theksuara për të arritur këtë objektiv, raporton EO.

Gjatë kësaj jave janë bërë dy vite që kur Unioni Evropian e ka pranuar aplikacionin e Kosovës, por që të njëjtin ende nuk e ka shqyrtuar.

Profesori universitar, Dritëro Arifi, e vlerëson këtë veprim si një iniciativë të drejtë, por thekson se procesi është shumë i ndërlikuar për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së.

Ai ka thënë se në parim çdo kërkesë e tillë duhet që të shqyrtohet brenda 18 muajve, por që në rastin e Kosovës, si shkak i mos njohjes së këtyre pesë vendeve, nuk pritet që të ketë pranim.

“E para si veprim mirë është bërë qe kemi aplikuar për ta sfiduar Bashkimin Evropian se si reagon në raste të tilla. E dyta është parimisht për çdo kërkesë të tillë pritet zakonisht 18 muaj është parimisht për një përgjigje se si të shkohet tutje dhe a po pranohet shteti. Ku mandej aktivizohet Komisioni Evropian e kështu me radhë. Në rastin e Kosovës nuk do të ketë as thirrje, as pranim e asgjë, sepse rasti i Kosovës është shumë specifik sepse nuk e njohin pesë vendet e BE-së. Për t’u pranuar një shtet i ri anëtarë apo për ta marr dritën e gjelbërt i duhet minimumi konsensusi i 27 vendeve të BE-së. e që në rastin tonë nuk e kemi”, ka thënë ai.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka potencuar se është thelbësore njohja nga këto pesë shtete, që Kosova të hyjë në agjendën legjislative e ligjore për t’u anëtarësuar në BE.

“Prandaj mendoj që është pozitiv aplikimin që e kemi dërguar, por tash duhet ta sfidojmë BE-në që të lëvizim tutje. Që të lëvizim tutje është vetëm njohja politike nga pesë vende e BE-së për ta njohur Kosovën dhe në këtë formë atëherë mund të hymë në agjendën legjislative, ligjore për tu anëtarësuar në BE”, ka thënë ai.

Arifi gjithashtu ka përmendur rëndësinë e Traktatit të Lisbonës, i cili përcakton kornizën ligjore të funksionimit të BE-së, ku sipas tij, nëse nuk ka një ndryshim të tyre, kjo do të jetë një pengesë për Kosovën.

“Nëse nuk ka njohje nga pesë vendet e BE-së, BE-ja e ka një traktat mbi të cilin bashkëvepron dhe bashkëpunon dhe të gjitha rregulloret i bazon në atë Traktatin e Lisbonës që është i fundi dhe të tjerat. Deri sa nuk ndryshon kjo kornizë ligjore brenda BE-së situata e Kosovës do të mbete kështu siç është”, ka thënë ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *