Kryeministri i Kosovës. Albin Kurti ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.
Kurti tha se Rugova la pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore.
”Në fillet e angazhimit tim politik, më 1997, kam patur rastin ta takoj dy herë Presidentin Ibrahim Rugova, prej kur figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë. Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore”, ka shkruar Kurti.
Më tutje Kurti tha se Ibrahim Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillimvitet ’90.
”Si kryetari i parë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj më 1989 dhe më pas si Presidenti i Parë i Kosovës nga viti 1992 e tutje, Ibrahim Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillimvitet ’90. Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”, shkroi Kurti.
Dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë, shtoi Kurti.