Prej disa ditësh me dhjetëra vajza minorene në qytetin e Korçës kryesisht mosha 14-16 vjeç po shantazhohen dhe denigrohen në rrjetin social Instagram nga një faqe anonime.
A2 CNN mëson se në këtë faqe postohen çdo ditë emra, foto dhe video vajzash bashkë me adresat e tyre të banimit dhe të dhëna të tjera, me qëllim denigrimin e tyre.
Edhe pse disa vajza kanë bërë kallëzim në policinë e shtetit për këtë problem të madh, ende kjo e fundit nuk ka arritur tek autori apo autorët e kësaj faqeje e cila shpërndan këto informacione.
Vajzat kanë zgjedhur ta denoncojnë këtë gjë edhe në media pasi faqja edhe pas kallëzimit të tyre vijon publikimet.
Ato thonë se në radhët e tyre ka pasur edhe vajza që kanë dëmtuar veten pasi iu është nxjerrë emri apo fotoja aty, ndërsa në një rast një vajzë ka prerë edhe damarët.
Faqja krahas publikimeve, videove dhe fotove iu shkruan këtyre vajzave duke ju kërkuar foto dhe video e duke i kërcënuar se në rast se nuk iu dërgojnë, do të publikojnë të tjera që i kanë siguruar në rrugë të ndryshme.
Në shumë pak ditë, kjo faqe ka denigruar me dhjetëra vajza adoleshente në Korçë, ndërsa policia thotë se është duke hetuar mbi rastin për të mbërritur tek autorët.