Ambasadori i Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Jorn Rohde, ditëve të fundit është takuar me krerët e partive politike në vend.
Ditë pas dite, Rohde u takua me Abdixhikun, Krasniqin, Kurtin e Haradinajn, me të cilët bisedoi rreth procesit zgjedhor dhe rëndësisë së tij për të qenë demokratik dhe transparent, shkruan IndeksOnline.
Pas përfundimit të ciklit të takimeve, Rohde deklaroi se Gjermania do të vazhdojë partneritetin e ngushtë me çdo qeveri të ardhshme të Kosovës.
“Ditët e fundit jam takuar me krerët e partive politike që konkurrojnë për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Zgjedhjet demokratike dhe pluraliteti i partive janë kyçe për demokracitë tona. Gjermania do të vazhdojë partneritetin e saj të ngushtë me çdo qeveri të ardhshme kosovare”, shkroi Rohde.
Të dielën e 9 shkurtit, në Kosovë organizohen zgjedhjet për kuvend, të pestat që nga shpallja e pavarësisë.