Pre. Mar 14th, 2025

Fillon procesi i numërimit nga votimi në përfaqësitë diplomatike

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në përfaqësi diplomatike.

Më 8 shkurt 2025 është votuar në 30 përfaqësi diplomatike me gjithsej 43 vendvotime dhe sipas të dhënave nga 20,324 votues të regjistruar kanë votuar 75.57% e tyre apo 15,352 shtetas të Kosovës që gjatë regjistrimit kishin përzgjedhur këtë mënyrë votimi. Procesi i votimit më 8 shkurt është organizuar në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi në një konferencë për media tha se procesi i numërimit është transparent dhe se vëzhguesit e akredituar janë njoftuar me kohë.

“Procesi i numërimit është transparent dhe vëzhguesit e akredituar janë njoftuar me kohë. Pas përfundimit të numërimit të ndonjë vendvotimi, brenda një kohe të shpejtë rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas përfaqësive diplomatike, do të shfaqen në platformën http://rezultatet2025.net “, ka thënë Elezi.

Ndërsa ka thënë se pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, po planifikojnë që të fillojnë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

“Gjithashtu, pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, po planifikojmë që të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës. Sipas të dhënave, pas procesit të vlerësimit, janë aprovuar më shumë se 63 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime që do të numërohen. Dhe pasi të përfundojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, në proces të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendvotime dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Elezi. .

rezultatet2025.net

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *