Mër. Nën 27th, 2024

Flet shefi i Policisë së trafikut në Kroaci: Tragjedia do të ishte më e vogël nëse udhëtarët do të kishin bërë këtë veprim

Josip Mataija, shef i Shërbimit të Sigurisë në Trafik në Kraoci ishte mysafir në televizionin N1 ku foli drejtpërdrejt për aksidentin në të cilin vdiqën 10 shtetas të Kosovës.

“Ky është aksidenti i dytë më i rëndë në Republikën e Kroacisë. Ne patëm një aksident po kaq të tmerrshëm në vitin 2008 në të cilin vdiqën 14 shtetas çekë”, tha ai fillimisht.

Ai gjithashtu theksoi se ligjet kroate, por edhe rregulloret e Bashkimit Evropian përshkruajnë se sa kohë lejohen shoferët dhe kur ata duhet të pushojnë.

“Ata nuk duhet ta kalojnë kohën e caktuar gjatë ndërrimit, e cila është 9 ose 10 orë. Fatkeqësisht, gjëra të tilla ndodhin dhe me gjithë të mirat që sjell trafiku, ai gjithashtu ka anën e tij shumë të shëmtuar, dhe kjo është vdekshmëria”, tha ai.

Mataija shtoi se Kroacia ka mjaft njerëz për t’i kontrolluar shoferët dhe autobusët.

“Praktikisht të njëjtat rregulla zbatohen për ta si për shoferët e kamionëve, çdo automjet duhet ta ketë një tahograf. Bazuar në atë rekord, ne mund të shohim se sa shpejt ai po e ngiste automjetin, deri kur ishte duke vozitur, sa orë me radhë, kur kishte pushime. Kjo është mirë sepse shoferët nuk mund ta fshehin. Ne kemi mundësi të hyjmë në tahograf dhe të shohim gjithçka që na intereson dhe ta sanksionojmë shoferin nëse ai nuk i respektoi rregullat”, shpjegon ai.

Ai tha se tragjedia do të kishte qenë më e vogël nëse udhëtarët do të ishin të lidhur.

“Ajo thjesht erdhi në vëmendjen tonë tani. Një pjesë e udhëtarëve dolën nga autobusi. Nëse ata do të kishin qëndruar në automjet, tragjedia do të ishte më e vogël. Autobusët nga viti 2008 duhet të kenë rripa sigurimi. Ky autobus kishte rripa sigurie, por mesa duket disa pasagjerë nuk i përdorën ata”.

“Ligji është i njëjtë për të gjithë, i cili thotë se rripat e sigurimit duhet të përdoren nëse ata janë të instaluar në automjet. Gjoba për dikë që nuk e përdor rripin e sigurimit është e njëjtë me të gjithë të tjerët, dhe kjo është 1.000 kuna”, thotë ai.

Mataija gjithashtu tha se kur autobusi ndalet nga Policia, nuk do të duhej të lihej që të nisej derisa të gjithë të lidheshin. Problemi, thotë ai, është se udhëtarët nuk qëndrojnë të lidhur.

“Pavarësisht se sa jeni afër vijës së finishit, nëse ndiheni të lodhur, duhet të ndaleni”, ishte porosia që ai ua dha të gjithë shoferëve.

Shoferi i autobusit në të cilin dhjetë veta vdiqën dhe mbi 40 u lënduan afër qytetit Slavonski Brod mëngjesin e djeshëm në Kroaci do t’i dorëzohet mbikëqyrësit të burgut, konfirmoi Damir Breziq, zyrtar policor për marrëdhënie me publikun në Administratën e Policisë Brod-Posavina.

Breziq tha se shoferi, i cili do të ndiqet penalisht me ligje të Kroacisë, do të merret sot në pyetje.

“Pasi ta dorëzojmë te mbikëqyrësi kujdestar në mëngjes, ai do të sillet në Avokaturën e Shtetit për marrjen në pyetje. Zyra e Avokatit të Shtetit do të vendosë për rrjedhën e mëtejshme të procedurave, dmth nëse do të kërkojë kujdestari për shoferin ose lirimin e tij”, tha Breziq për SBplus.

Siç raportoi policia dje, shoferi do të procedohet penalisht për dyshimin e kryerjes së veprës penale “shkaktimi i aksidentit të trafikut në trafikun rrugor”, për të cilin dënimi maksimal është deri në 15 vjet burgim, raporton Index.hr.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *