Ekzekutivi në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Bujqësisë për zbatimin e vendimit për pakon e Ringjalljes Ekonomike masa 2.5.
Ministri për Buxhet, Punë dhe Transfere, Hekuran Murati pas mbledhjes së qeverisë ka folur për vendimet që janë marrë gjatë ditës së sotme, duke veçuar atë të ndarjes së pesë milionë eurove për Ministrinë e Bujqësisë/
Murati: Ndarja e pesë milionë eurove shtesë për Ministrinë e Bujqësisë është në kudër të pakos ekonomike
“Mund të veçoj vendimin për ndarjen e pesë milionëve shtesë në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike për Ministrinë e Bujqësisë. Po ashtu miratimin e projektligjit për amandamentimin e marrëveshjes ekzistuese që mundëson investime shtesë në sistemin e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në Kosovë… Po vijmë nga seanca që sapo u miratua Ligji për Buxhetin, ku me këtë rast mundësohet fillimi i zbatimit të plotë të pakos së ringjalljes ekonomike. Një ndër masat e para që do të fillojë formalizimin e punësimit, në kuadër të kompanive ekzistuese në mënyrë që të sigurohen të drejtat e punëtorëve ”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Murati ka folur për raportin gjashtë-mujor të këtij viti.
Murati: Pranimet për gjashtë muaj janë mbi 1 miliard euro
“Konstatojmë se gjithsejtë pranimet për gjatë gjashtë mujorit arritën vlerën prej 1 miliard e 185 mijë euro, kurse gjithsejtë pagesat arritën vlerën në 1 miliard e 26 milionë euro, me një rritje prej 10 për qind krahasuar me periudhën raportuese. Si rezultat i pranimeve më të mëdha se sa pagesave, bilanci i fondeve po ashtu ka shënuar rritje prej 158, 43 milionë euro”, ka njoftuar Murati.
Më tej, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e 430 mijë eurove për pagesën e specializantëve për muajin korrik.
Murati: Sipas këtij vendimi ndahen 430 mijë euro për pagesën e specializantëve
“Këtë ndryshim e kemi reflektuar në rishikim të buxhetit. Mirëpo, meqenëse tek sot është miratuar dhe hyrja në fuqi e buxhetit të rishikuar mund të marrë edhe pak kohë, për tu siguruar që specializantët paguhen me kohë duhet të marrim këtë vendim e pastaj duhet të ri përshtatën shumat pas hyrjes në fuqi të ligjit të rishikimit të buxhetit. Po ashtu, kjo masë është e paraparë edhe në pakon e ringjalljes ekonomike, më saktësisht tek masa 4,1 për mbështetjen për shëndetësi. Sipas këtij vendimi ndahen 430 mijë euro për pagesën e specializantëve për muajin korrik”, ka shtuar Murati.
Pas situatës me helmimet në Deçan për shkak të kontaminimit të ujit të pijshëm, MAPL ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me komunën e Deçanit, në vlerë prej 150 mijë euro.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka treguar për detajet e kësaj marrëveshje.
Krasniqi: MAPL ka nënshkruar marrëveshje me Deçanin në vlerë prej 150 mijë euro
“MAPL ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me kryetarin e komunës së Deçanit për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit”, në vlerë prej 150 mijë euro. Kjo shumë e mjeteve buxhetore do të alokohet nga programi komunal për zhvillim dhe infrastrukturë socio-ekonomike dhe gjithashtu për bashkëpunim rajonal”, u shpreh Krasniqi.
Kabineti qeveritar të mërkurën ka themeluar komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e pesë anëtareve të bordit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale. Samit Gorani do të jetë kryesues, Fadile Dyla dhe Irfan Lapovica do të jenë anëtarë.