Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu ka njoftuar se sot e kanë përfunduar draftin e parë të Projektligjit për Konfiskim të Pasurisë së Fituar në Mënyrë të Pajustifikueshme.
Këtë e ka bërë të ditur në një postim në Facebook. Më tej, ai ka thënë se shantazhet dhe kërcënimet e janë infuzion për të ecur edhe më shpejt në realizim të objektivave.
“Këtë draftligj po e procedojmë tutje tek 5 ekspertë të përzgjedhur ndërkombëtarë, të cilët me përvojën e dijen e tyre perëndimore, sipas nevojës do ta plotësojnë e harmonizojnë atë me praktikat dhe standardet më të mira evropiane. Pas shqyrtimit nga ekspertët, këtij Projektligji do t’i japim dritën e gjelbër në grupin e gjerë punues, duke i iniciuar procedurat për t’ia dërguar Qeverisë dhe më pas Kuvendit”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë:
Pas disa muajsh pune me plot përkushtim e seriozitet, me diskutime të gjera e analiza të gjata, sot e përfunduam draftin e parë të Projektligjit për Konfiskim të Pasurisë së Fituar në Mënyrë të Pajustifikueshme.
Këtë draftligj po e procedojmë tutje tek 5 ekspertë të përzgjedhur ndërkombëtarë, të cilët me përvojën e dijen e tyre perëndimore, sipas nevojës do ta plotësojnë e harmonizojnë atë me praktikat dhe standardet më të mira evropiane. Pas shqyrtimit nga ekspertët, këtij Projektligji do t’i japim dritën e gjelbër në grupin e gjerë punues, duke i iniciuar procedurat për t’ia dërguar Qeverisë dhe më pas Kuvendit.
Ky do të jetë ndër ligjet më të rëndësishme të agjendës sonë legjislative sepse shteti e qytetarët tanë kanë lënguar nga mungesa e drejtësisë. Tani e tutje nuk do të jetë më njësoj!
Shantazhet dhe kërcënimet e atyre që nuk e duan drejtësinë nuk mund të na trembin përkundrazi ato janë infuzion për ne për të ecur edhe më shpejt në realizim të objektivave tona.