Heqja e taksës nga Qeveria e Kosovës për blloqet e argjilës për ndërtim, të prodhuar në Serbi, do të ndikojë në zvogëlimin e sasisë së prodhimit të këtij produkti nga kompanitë vendore, thonë pronarë të disa kompanive prodhuese të materialeve ndërtimore. Sipas tyre, me shfuqizimin e kësaj mase, blloqet me origjinë nga Serbia do hyjnë më lirë në tregun e Kosovës, për rreth 10 për qind të çmimit.
Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar një vendim të vitit 2016, për masat mbrojtëse antidamping prej 0.02 centë për blloqet standarde 19x19x25 të importuara nga shteti i Serbisë.
Dampingu nënkupton importin e mallrave në Kosovë, me një çmim më të ulët të eksportit, sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm të destinuar për konsum në kushtet normale të tregut në vendin eksportues.
Shfuqizimi i kësaj mase për prodhuesit vendorë të materialeve ndërtimore, përveç zvogëlimit të sasisë së prodhimit, do ndërpresë edhe investimet e reja, thotë Ilir Dula, zëvendësdrejtor në kompaninë “Rizam Holding” në Prizren.
“Rizam Holding” aktualisht prodhon 12 milionë blloqe gjatë një viti dhe numëron 75 punëtorë.
“Ka ndikim negativ sepse po dëmtohemi, pasi Serbia ka subvencione nga shteti i vetë dhe ka mundësi që të prodhojë edhe për tregun e Kosovës. Me këto masa ne jemi mbrojtur. Tash me heqjen, neve na shkatërron investimet që i kemi bërë vetë, e mos të flasim për investime të reja. Normal që numri i blloqeve do të zvogëlohet sepse tregtari që ka depo materiali, furnizohet me çmime më të ulta dhe njerëzit i blejnë me çmim më të lirë, nuk i intereson prodhuesi”, tha Dula.
Çmimi i një blloku ndërtimor me shumicë, kushton rreth 22 centë, varësisht nga kompania prodhuese ndërsa më pakicë, deri në 25 centë.
Përveç, uljes së sasisë së prodhimit të blloqeve ndërtimore, rrezikohet edhe ulja e numrit të punëtorëve, thotë Ejup Maloku, pronar i kompanisë “Apollonia”.
“Neve na detyrojnë për këto, sepse kompanitë serbe na pengojnë në shitje. Në moment që nuk shiten, mbushen depot dhe duhet të zvogëlojmë prodhimin. Kur nuk shitet produkti, ndikon te punëtorët dhe pagat”, tha Maloku për Radion Evropa e Lirë.
Edhe kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Materialit Ndërtimor nga Argjila, Mustafë Borovci, njëherësh pronar i kompanisë “Brickos” në Gjilan, shprehet se me shfuqizimin e kësaj mase, prodhuesit vendor; i vë në konkurrencë të ashpër me prodhuesit e Serbisë, të cilët sipas tij, subvencionohen në forma të ndryshme nga shteti i tyre. Borovci thotë se gjatë pesë vjet;ve sa ka qenë në fuqi kjo masë, është përmirësuar dukshëm situata financiare e kësaj industrie.
Sipas Borovcit, në Kosovë operojnë tetë kompani për prodhimin e blloqeve ndërtimore me rreth 1200 punëtorë.
“Blloku i Serbisë do të jetë më i lirë për 0.02 centë në tregun e Kosovës. Kjo do të reflektojë shumë, sepse për të kuptuar vlerën e 0.02 centëve është rreth 10 për qind e vlerës se një blloku. Me vetë faktin se një pjesë e tregut të Kosovës i jepet një vendi fqinj dhe rrezikohen disa nga prodhuesit vendorë të blloqeve, mendoj se kjo është tregues i mjaftueshëm për rëndësinë që masa të mbetet në fuqi. Nuk di se pse duhet të mirëmbahet industria e një vendi fqinj dhe të rrezikohet e industria e Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, Boban Markoviq, drejtor në kompaninë e blloqeve ‘Mladost’ nga Leskovci, thotë se kur është vendosur taksa prej 2 centëve, vite me parë, uli ndjeshëm vëllimin e shitjeve të produkteve tyre në Kosovë. Taksa 100 për qind pastaj e ndërpreu eksportin e tyre ne Kosovë, kështu që kjo kompani u detyrua të kërkojë disa tregje të reja për të zëvendësuar tregun kosovar.
“Me heqjen e taksës 100 për qind, taksa prej 2 centësh mbeti dhe vazhdoi të ketë një efekt destimulues në shitjen e produkteve tona në vitin e kaluar. Për momentin, heqja e taksës do të thotë shumë, por ne nuk mund ta dimë efektin e saktë. Do ta dimë efektin vitin e ardhshëm, kur do të bëjmë kontrata dhe do të planifikojmë mallra më të mëdha për këtë treg, pasi nuk ka më barriera administrative për eksportet“, thotë Markoviq për Radion Evropa e Lirë.