Asociacioni i Komunave të Kosovës, pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia ka dalë me një njoftim lidhur me vendimet që do t`i marr qeveria pas rritjes së rasteve të reja të infektimeve.
“Ministri i Shëndetësisë z.Vitia në fjalën hyrëse informoi Kryetarët e Komunave lidhur me situatën e tashme pas rritjes së rasteve të infektimeve. Ndër të tjera ai theksoi se versioni Delta i Covid-19 është duke u përhapur 4 deri 6 herë më shpejtë dhe më shumë. Në këtë segment mosha e të të infektuarëve mes 10—20 vjeçarëve është duke u rritur. Institucionet tona kanë marrë masa edhe për shtimin e numrit të shtretërve në spitalet tona”, thuhet në njoftim.
Sipas ASK-së, Ministri i Shëndetësisë informoi Kryetarët e Komunave edhe për disa vendime dhe masa shtesë.
– Mësimi nuk fillon deri më 13 shtator dhe atëherë të rivlerësohet situata.
– Gastronomia do të punoj vetëm deri në ora 21:30 dhe vetëm në ambiente të jashtme.
– Do të ketë kufizim të lëvizjes nga ora 22:00 deri ora 5:00.
– Do të rekrutohen 1116 personel shëndetësorë dhe inepsketues për të fuqizuar betejën e kundër kësaj pandemie.
– Komunat në shkallë 92% sipas kërkesave të tyre janë furnizuar me barna esenciale.
– Në fillim të shtatorit do të mbërrijnë edhe 470 mijë vaksina përmes Covax.
– Deri me 13 shtator do të punohet vetëm me staf esencial nëpër institucione.
Në njoftim thuhet se Kryetarët e Komunave shprehën gatishmërinë edhe për angazhime shtesë në betejën kundër pandemisë Covid-19 duke theksuar se jeta e qytetarëve tanë është prioritet për institucionet tona dhe gjitha masat dhe angazhimet shtetërore duhet të shkojnë në këtë drejtim.
Mirëpo në këtë drejtim, ASK kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që të shtohet numri i qendrave të vaksinimit, të shtohet numri i inspektorëve komunalë për respektim e masave anti-covid-19 si dhe rekrutimi i stafit shëndetësorë të decentralizohet tek komunat.
“Ministri i Shëndetësisë z.Vitia lidhur me kërkesën për shtimin e Qendrave të Vaksinimit tha se numri i të vaksinuarëve bëhet në proporocion me numrin e vaksinave që shteti ynë ka në dispozicion”.