Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Sadrija me rastin e shuarjes së jetëve të dy djemve të familjes Sadrija në një aksident zjarri.
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për shuarjen e jetëve të djemve tuaj në një aksident zjarri. Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me familjet për këtë humbje të parakohshme të fëmijëve tuaj! I përhershëm qoftë kujtimi për ta!”, thuhet në telegram.
Dy fëmijë të moshës 12 dhe 13-vjeç kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer sot në një shtëpi në Ujz të Gjakovës.
Po ashtu një person, prindi i njërit nga viktimat, duke tentuar që ta bëjë lokalizimin e zjarrit, ka pësuar lëndime të lehta trupore në pjesët e ndryshme të trupit.
Shtëpia është djegur tërësisht dhe vlera e dëmit për momentin nuk dihet.
Policia është duke hetuar për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.