Sht. Nën 23rd, 2024

Pas takimit me Merkel, deklarohet Kurti: Procesi i Berlinit s’ka nevojë për alternativa tjera

​Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në përfundim të takimit me Angela Merkel në Tiranë u shpreh se kancelarja gjermane nuk i kërkoi që të përfshihet në nismën “Ballkani i Hapur”.

Në përfundim të takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për mediat duke u ndalur tek raporti me Serbinë.

Me tone të larta, Kurti ka kujtuar një deklaratë të Presidentit Vuçiq ku ky i fundit tha se nuk do e njohë kurrë Kosovën. Sipas Kurtit është Serbia ajo e cila duhet që të ndryshojë Kushtetutën dhe jo Kosova.

“Në qershor të këtij viti Presidenti i Serbisë tha që nuk do e njoh Kosovën. Pra është Serbia që duhet të ndryshojë jo Kosova. Paqe në Ballkan ka kur Serbia ndryshon Kushtetutën dhe heq dorë nga Kosova. Jo të ndryshojë Kosova. Duhet ndryshohet Serbia që ndodhet kryeministri që ka qenë ministër informacioni në kohën e Millosheviçit. Është detyrë e çdo shqiptari që të tregojë ku duhet të jetë trysnia ndërkombëtare” tha Kurti.

Për sa u përket marrëdhënieve me Ramën, Kurti është shprehur se ruan kontakte dhe marrëveshjet vijojnë edhe pse nuk bien dakord me Ballkanin e Hapur.

“Me Ramën kem biseduar dhe takuar. Para dy javësh ishim në Slloveni. Jemi takuar edhe në Tiranë dhe në Dhërmi. Nuk bie dakord për Ballkanin e Hapur, çfarë të bëjmë tani. Për gjëra të tjera jemi në bashkëpunim.”

Në fund Kurti është ndalur tek vendosja e reciprocitetit për Serbinë duke thënë se kësaj radhe do të ketë sukses. Ai ka shtuar se Serbia po kryen shkelje kundrejt Kosovës. Kurti theksoi se iu është drejtuar me një letër vendeve të BE ku ka renditur shkeljet e kryera nga Serbia dhe pret përgjigje.

“U kam shkruar letër vendeve të BE dhe u kam renditur shkeljet që po bën Serbia. Dhe reciprociteti do vendoset se ndryshe nuk do ketë barazi. Po përgatitemi që të ketë sukses. Se kjo është tek të drejtat e pakicave. Serbët kanë edhe vetë. Ndërsa shqiptarët po spastrohen.” tha Kurti.

Kurti pas takimit me Merkel: Kosova gati për padinë për gjenocid ndaj Serbisë

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me kancelaren Angela Merkel, tha se sa i përket raporteve Kosovë-Serbi, trysnia duhet të bëhet mbi Serbinë.

Ai tha se është detyrë e çdo shqiptari që të tregojë se mbi kë duhet të bëhet presioni për raportet mes dy vendeve.

Ai konfirmoi gjithashtu se Kosova është dukë bërë përgatitje për padinë për gjenocid ndaj Serbisë të cilën e kishte premtuar.

***

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në përfundim të takimit me Angela Merkelin në Tiranë u shpreh se kancelarja gjermane nuk i kërkoi që të përfshihet në nismën “Ballkani i Hapur”. Kurti u shpreh qartë dhe prerë se Prishtina nuk do të përfshihet në këtë iniciativë, pasi shtoi ai, Procesi i Berlinit është i mjaftueshëm për rrugën europiane.

Kurti kishte një përgjigje edhe për Edi Ramën, i cili i kërkoi kreut të qeverisë së Kosovës që të lërë teoritë konspirative dhe të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

“Unë nuk e di për çfarë tetori konspiracioni është fjala këtu. Është dashur ta pyesni. Unë nuk e di për çfarë teorie bëhet fjalë. Unë po jua tregoj qëndrimin tim, që e thashë edhe aty; Procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për rrugëtimin europian dhe nuk ka nevojë për variante të tjera.

Ballkani nuk është tre shtete, as 6 por të paktën 12 shtete. Pasnesër do të kemi një takim me qeverinë e Maqedonisë në Shkup dhe jemi për marrëdhënie të mira, pore iniciativat rajone nuk duhet të bëhen pa BE-në brenda. Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është se në të dytën nuk e kemi BE-në.

Po ashtu Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilën të gjithë ne duhet të angazhohemi pavarësisht pozitës që kemi dhe të kërkojmë njohjen e saj dhe jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë për mos njohjen e Kosovës. Cfardo mirëkuptimi ndaj Serbisë për mos njohje i kushton Kosovës” tha ai.

***

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

Kurti në një konferencë për media pas këtij takimi, theksoi që u konfirmua se procesi i Berlinit është korniza edhe rruga për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“U konfirmua se Procesi i Berlinit është edhe korniza edhe rruga për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë dhe gjithashtu mjaftueshëm i thellë, që të mos ketë nevojë për variante tjera alternative”.

“Në bisedat që pata theksova që nuk duhet të ketë fonde evropiane- pa vlera evropiane, pra fondet e BE-së për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet patjeter që të paraprihen dhe të shoqërohen me vlerat e BE-së”.

***

Pas takimit me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, kancelarja gjermane Angela Merkel, ka nisur takimet bilaterale.

Ajo pas konferencës së përbashkët me Edi Ramën, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Takimi ka përfunduar teksa pritet që për pak kryeministri Kurti t’u adresohet mediave.

***

Pas takimit me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, kancelarja gjermane Angela Merkel, ka nisur takimet bilaterale.

Ajo pas konferencës së përbashkët me Edi Ramën, ka filluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla do të diskutojmë për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona dhe bashkëpunimin rajonal brenda agjendës së Bashkimit Evropian”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti e Merkel përshëndeten para takimit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është përshëndetur me kancelaren gjermane, Angela Merkel, edhe para takimit zyrtar që kanë këtë të martë.

ImageFOTO GALERI
Merkel ka përshëndetur Kurtin në hotel “Tirana” që është edhe investim gjerman në Shqipëri.

Kujtojmë Kurti dhe Merkel do të takohen në ora 15:00.

Image

Angela Merkel ndodhet në Shqipëri ku ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama. Po ashtu, në përfundim të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, të fundit për kancelaren gjermane, ajo ka vendosur që të takojë në Tiranë liderët e rajonit.

Takimi mes tyre u zhvillua në një prej investimeve gjermane në kryeqytetin shqiptar. Kancelarja nuk la pa e përmendur këtë fakt mes kryeministrave ballkanas, ndërkohë që u shpreh se ka qenë e pamundur që të vizitonte secilin prej vendeve.

“Planifikoja të vija në të gjitha vendet tuaja, por ishte e pamundur”, u tha Merkel kryeministrave dhe falenderoi Ramën që i mirëpriti në Tiranë.

***

Kancelarja Angela Merkel mbërriti në hapësirat e “Tirana Business Park” për takimin me kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Bosnjës, Zoran Tegeltija dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe ai malazez Zdravko Krivokapiq tashmë kanë mbërritur para kohës se përcaktuar sipas protokollit shqiptar.

Po ashtu, do të ketë një foto familjare të kancelares Merkel me të gjithë kryeministrat e gjashtës së Ballkanit Perëndimor.

Ky takim zhvillohet para Samitit të radhës së vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni.

Temë bosht e këtij takimi është padyshim bashkëpunimi rajonal dhe Procesi i Berlinit, një iniciativë që është vlerësuar si urë lidhëse mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Më shumë rreth këtij takimi pritet të mësojmë nga konferenca e kancelares Merkel me kryeministrin Rama e planifikuar rreth orës 14:30.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Tiranë për takimin me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më parë në hapësirat e “Tirana Business Park” mbërriti edhe kryeministri malazez Zdravko Kripokaviç, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Tashmë pritet nga çasti në çast edhe kryeministri i Shqipërisë, nikoqiri Edi Rama, si dhe kancelarja Merkel.

Kujtojmë që Merkel gjatë ditës së djeshme ka takuar Vuçiqin.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *