Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e Shqipërisë, Elisa Spiropali si dhe ambasadorin Qemal Minxhozi.
Në këtë takim ministri Sveçla së pari ka uruar Spiropali për konstituimin e institucioneve të reja si dhe për emërimin e saj në krye të Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu në këtë takim u diskutua edhe për mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë ku janë votuar dy marrëveshje në mes Shqipërisë dhe Kosovës, marrëveshja për trafikun lokal të kufirit dhe marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë ( Dragash), të cilat janë koordinuar mes ekipeve teknike të ministrive të Brendshme.
Sveçla ka falënderuar Spiropali për mbështetjen e vazhdueshme në lehtësimin e jetës së shqiptarëve në dy anët e kufirit dhe vlerësoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm e në veçanti ritheksoi gatishmërinë e MPB-së për bashkëpunim në ngritjen dhe avancimin e të dy shteteve tona.