Sht. Nën 23rd, 2024

Deputeti i partisë së Vuçiqit thotë se Rusia po e destabilizon gjithë rajonin

Deputetii Partisë Progresive të Serbisë që udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq, Dragan Shormaz ka komentuar situatën në veri të Kosovës, pas vendosjes së reciprocitetit me targa.

Për vizitën e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko konkretisht në bazën ushtarake të Rudnicës, ka thënë se me këtë veprim Rusia po e destabilizon të gjithë rajonin.

Shormaz, i cili gjithashtu është kreu i delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i pyetur se si e sheh vizitën e ambasadorit rus në një situatë kaq të ndjeshme, ai tha se “ne mund të përpiqemi ta vendosim atë në kontekstin që Rusia është interesuar për paqen”.

Megjithatë, ai nuk beson në këtë dhe se sipas tij, Rusia po destabilizon të gjithë rajonin.

“Unë i kam akuzuar ata se qëndronin prapa protestave të mbajtura në muajin korrik të vitit të kaluar për shkak të masave ndaj pandemisë COVID-19. Rusia nuk mund të bëjë asgjë. Nuk më pëlqen fakti që dërgohet një fotografi për të mashtruar qytetarët e Serbisë nga Rusia, ngase çështja jonë me Kosovën nuk mund të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit të OKB -së”, thotë ai, raporton Danas.

Sipas deputetit serb, çështja e Kosovës mund të zgjidhet përmes dialogut, duke shtuar se do të ishte mirë të krijohen marrëdhënie sa më të mira me Shtetet e Bashkuara ngase Rusia nuk mund të bëjë asgjë.

“Problemi mund të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe në atë dialog do të ishte mirë të krijoheshin marrëdhënie sa më të mira me Shtetet e Bashkuara, sepse Rusia nuk mund të bëjë asgjë, Kina nuk mund të bëjë asgjë dhe Bashkimi Evropian nuk mund të bëjë asgjë”, përfundon Shormaz.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *