Sht. Nën 23rd, 2024

Zyrtari i DASH-it: Kosova dhe Serbia duhet t’i respektojnë zotimet e tyre, përfshirë Asociacionin

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i respektojnë zotimet e tyre për implementimin e marrëveshjeve paraprake, përfshirë këtu edhe Asociacionin e Komunave Serbe

“Është thelbësore për Kosovën dhe Serbinë të respektojnë zotimet e tyre duke implementuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Kjo përfshin edhe Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë ky zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Tutje në përgjigje thuhet se SHBA-ja nuk ka ndonjë përshkrim për mënyrën se si duhet të zbatohet marrëveshja për Asociacionin apo ndonjë tjetër marrëveshje dhe se kjo çështje është subjekt i asaj se si palët janë marrë vesh mes vete.

“Ne nuk japim ndonjë përshkrim se si kjo marrëveshje, apo ndonjë tjetër, duhet të implementohet. Teknikalitetet e implementimit janë subjekt i marrëveshjes mes palëve”, ka thënë ky zëdhënës i DASH.

Se marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe duhet të implementohet e thonë edhe nga Bashkimi Evropian.

Derisa ditë më parë, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, teksa e ka komentuar “kërcënimin” e “Listës Serbe” se do t’i lëshojnë institucionet në rast se nuk implementohet Asociacioni, është shprehur me shumë siguri se një marrëveshje e tillë nuk do të implementohet.

“U takon subjekteve politike të përkujdesen për premtimet që dhënë dhe realizimin e tyre. Lista Srpska mund të bëjë ato premtime, i ka bërë edhe në 2017, por nuk i ka realizuar, nëse edhe kësaj here u ka premtuar diçka për asociacionin, mund t’ua kujtoj qytetarëve çka u ka thënë më 2017 dhe t’u them se është po e njëjta Lista Srpska. Nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe. Nëse kjo ka qenë arsyeja që e kanë votuar Listën Sprska atëherë janë manipuluar qytetarët”, ka thënë Bislimi.

Ndërkohë pala serbe është duke bërë përgatitje që çështja e Asociacionit të jetë pika e radhës që do të diskutohet gjatë takimit të radhës në Bruksel.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *