Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka miratuar 10,934 vota të ardhura me postë, nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës, ndërkaq ka refuzuar 1,324 fletëvotime për raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor.
Shefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, në një konferencë për media të shtunën bëri të ditur se “numërimi i votave me postë do të fillojë në ditët në vijim”.
“Pranimi i votave më postë është bërë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve më 21 tetor 2021 dhe në ditët e ardhshme do të fillojë procesi i numërimit të votave me postë”, tha ai.
Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 38 komunat ku janë zhvilluar zgjedhjet, në 16 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ndërkaq, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar rezultatet për kryetar komune në Han të Elezit dhe ka urdhëruar që në këtë komunë të përsëritet votimi.
Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar katër komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë në raundin e parë.
Raundi i balotazhit do të mbahet më 14 nëntor.