Pre. Nën 22nd, 2024

Skandali me votat e AAK-së në Junik, turpi i zgjedhjeve të 17 tetorit

Ditë më parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është kapur në flagrancë zyrtarja e Komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit.

Sipas raportimeve, ajo dyshohet se ka tentuar që të dërgojë në Mynih të Gjermanisë material të falsifikuar zgjedhor.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe dega e AAK-së në Junik, e cila ka shkruar se distancohet nga “çdo veprim i kujtdo që në çdo formë tenton ta njollosë procesin zgjedhor!”

Nga kjo parti kanë bërë “thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta zbardhin të vërtetën deri në fund.”

Po ashtu, kreu i AAK-së, Ramush Haradinajt vizitoi komunën e Junikut, mirëpo refuzoi të thotë ndonjë fjalë për këtë skandal, duke e anashkaluar plotësisht.

Dukuria e manipulimit të votave në Kosovë ka zanafill të mëhershmë, mirëpo kësaj radhe manipulimi ndodhi me votat e diasporës, ku dihet se vota e mërgatës ka qenë vendimtare në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Burjani: Nga politika varet ‘ekzistenca’ e shumë njerëzve në Kosovë

E lidhur me këtë ka folur, juristi Blerim Burjani në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

ImageBlerim BurjaniFOTO GALERI
Fillimisht, ai kërkoi që të përfundojnë hetimet e prokurorisë në lidhje me këto manipulime dhe vjedhje të votave. Mirëpo, ai nuk e përjashtoi mundësinë që kjo shkelje e ligjit të vërtetohet, pasi sipas tij ekzistenca e shumë njerëzve varet nga politika.

“Së pari duhet pritur hetimin e prokurorisë për të konkluduar, sidoqoftë çdo gjë është e mundshme në Kosovë, duke pas parasysh se politika është ekzistencë e shumë njerëzve është e logjikshme që mund të ketë lloj-lloj veprash të kudërligjshme”, deklaroi juristi.

Në vazhdim, Burjani tha se Kosova është një shtet i politizuar, ku askush nuk merret me ekonomi, pasi politikën e shohin si mënyrën më të mirë për të përfituar, shto këtu edhe hajninë dhe keqpërdorimin e parasë publike.

“Një shtet i politizuar si Kosova është problem, pasi që ky shtet nuk merret me ekonomi tregu, por merret me politikë. E politika është përfitim i madhe kur t’i shtohet edhe hajnia, keqpërdorimi i parasë së taksapagusve, për të rritur paga kot në disa sektore. Kurse, sektori privat që është baza e ekonmisë së tregut diskriminohet përtej mase dhe askush nuk merret me këtë sektor, i cili është shpëtimi ose fundosja e ekonomisë”, theksoi ai.

Në fund, jurisit potencoi se kjo mënyrë e përfitimit, vë në dukje se politikanët shpëtimin e kanë prej votave të qytetarëve dhe jo prej punës së tyre.

“Atëherë kjo të sjellë në një logjik të tillë, keqpërdorimi i votës së qytetarëve dhe lutja e lypsave të votave që shpëtimin e kanë prej votave të qyetetarve, e jo prej punes së tyre”, përmbylli Blerim Burjani.

Mulliqi: KQZ duhet të rishikoi edhe njëherë të gjithë materialin zgjedhor

Ndërsa, analisiti politik, Skënder Mulliqi tha se rasti i zyrtares së komunës së Junikut vë në pikëpyetje monitorimin e mirë të zgjedhjeve lokale.

ImageSkënder MulliqiFOTO GALERI
Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të rishikoi të gjithë materialin zgjedhor

“Shembulli i kapjes në flagrancë i zyrtares së komunës së Junikut, e cila dyshohet se ka tentuar të dërgojë në Gjermani material të falsifikuar zgjedhor, e vë në pikëpyetje edhe monitorimin e mirë të zgjedhjeve lokale. Ky rast lë dyshim se mund të kemi pasur manipulime të procesit zgjedhor. KQZ duhet të rishikoj, sipas mendimit tim edhe njëherë të gjithë materialin zgjedhor për hir të korrektësisë”, deklaroi ai.

Sipas Mulliqit, duhet pritur deri në përfundimin e hetimeve të prokurorisë, pasi mund të rezultoi se ky rast ka qenë i izoluar dhe nuk e ka dëmtuar rezultatin zgjedhor në të gjitha komunat.

“Deri në zbardhjen e tyre nga organet përkatëse mund të konsiderohen dyshime, por të cilat lënë shije të hidhur për zgjedhjet të cilat u cilësuan shumë korrekte dhe demokratike. Apo ndoshta rasti i Junikut mund të jetë rast i izoluar, që nuk e dëmton rezultatin zgjedhor në nivel të Kosovës. Dihet se AAK në Junik është distancuar nga zyrtarja dhe veprimi i saj, duke kërkuar që me këtë të merren organet e drejtësisë. Si duket situata me balotazh ka ndikuar në tentim të manipulimit të votave, sidomos të mërgatës, ku shikohet se vota e tyre mund të jetë përcaktuese, se cili kandidat apo parti do të dal fitues”, theksoi analisti.

Në vazhdim, ai e përmendi rolin e rëndësishëm që ka vota e diasporës jo vetëm në zgjedhjet lokale, por edhe nacionale.

Pas këtij rasti në Junik, analisti kërkoi masa ligjore rigoroze për manipulim të votave, në mënyrë që organet e rendit të rrisin monitorimin në raundin e dytë të zgjedhjeve me 14 nëntor.

“Vota e diasporës ka qenë shumë përcaktuese edhe në zgjedhjet e nivelit qendror. Masat ligjore për manipulime të votave janë rigoroze, dhe ato duhet të zbatohen aty ku ka këqpërdorime të natyrave të tilla. Nuk duhet të na përsëritet e kaluara kur kishim vjedhje industriale të votave edhe pse ato u cilësuan si të rregullta dhe demokratike. Ky shembull i Junikut, sigurisht se është sinjal që duhet ngrenë lartë gatishmërinë, organet përkatëse që mos të ndodhë që në balotazh më 14 nëntor, ku garojnë 21 komuna të prishet procesi zgjedhor, me manipulime apo më vjedhje të votave. Kjo e deligjitimon pastaj gjithë procesin zgjedhor”, tha ndër të tjera Mulliqi

Krejt në fund, ai potencoi se një tjetër fakt që i shton dyshimet për manipulime në zgjedhjet lokale të 17 tetorit është që Vetëvendosja nuk arriti ta fitojë asnjë komunë në raundin e parë.

Ai vlerësoi se më me rëndësi është shteti, e jo ardhja me çdo kusht në pushtet e ndonjë partie politike.

“Po ashtu, shtohet dyshimi se si u bë që LVV nuk e fitojë asnjë komunë pa balotazh e opozita t’i fitojë 7 komuna! Vota e qytetarëve, dihet se është e shenjtë. Me rëndësi është shteti, e jo ardhja me çdo kusht në pushtet të ndonjë partie politike. Kosovës i nevojitet qetësia politike, i nevojitet prosperiteti dhe zhvillimi që ka stagnuar qe shumë kohë. Duhet përshendetur organet e rendit të cilat janë duke vepruar rreth zbardhjes së këtij rasti, dhe aty ku paraqitet nevoja”, përfundoi Skënder Mulliqi, përcjell “Bota sot”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *