Për dallim nga 14 shkurti ku mori vetëm 12%, LDK në zgjedhjet lokale arriti që të fitojë shtatë komuna, duke përfshirë edhe kryeqytetin, Prishtinën.
Përveç Prishtinës, LDK fitoi Pejën, Lipjanin, Vitinë, Fushë Kosovën, Istogun dhe Junikun.
E krejt ky rezultatit, sipas ish kryetarit të LDK-së në Zvicër, Haki Latifit, është meritë e reformave që ndodhën në këtë parti, pas rezultatit të keq që arritën më 14 shkurt, ku 12% ishte rezultati me i ulët në historinë e LDK-së.
“Zgjedhjet lokale përfunduan me sukses, por na treguan qartë se demokracia lokale e Kosovës, ndjek një logjik tjetër, nga ajo e nivelit qendror. LDK u tregua vitale në këto zgjedhje falë reformave të ndërmarra nga lideri i saj z. Lumir Abdixhiku. Në këto zgjedhje u dëshmua se disa votues konfirmuan se mund të mashtrohen për një kohë të shkurtër por jo gjatë”, thotë Latifi për gazetën “Bota sot”.
ImageHaki LatifiFOTO GALERI
Sipas tij, qytetarët duhet t’i kenë nën llupë ata që i zgjodhën të jenë fitues.
“Për votuesit, qytetarët e Kosovës tani e tutje, te zgjedhurit e tyre, nuk duhet t’i ledhatojnë, por të bëhen kërkues në përmbushjen dhe realizimin e projekteve dhe premtimeve te tyre gjatë fushatës zgjedhore. Ndërsa mërgimtarët të mos mjaftohen vetëm me nga një „mirënjohje“ si në kohën e kooperativave bujqësore socialiste, por të jenë bashkëpunues dhe nëse dëshirojnë të investojnë në Kosovë, t‘i koordinojnë punët në të mirë të Kosovës me projektet e tyre afariste”, shprehet Latifi.
Më tej, ai thotë se në këto zgjedhje, LDK u konfirmuar si partia më e madhe në Kosovë.
“Tanimë rikthimi i LDK-së është konfirmuar, është partia e parë, edhe pse mbetet ende punë për të bërë që konfirmimi të ketë shtrirje organike në tërë komunat e Republikës së Kosovës. Nuk ka vend për ngazëllim dhe krekosje të tepruar, fitoret nëpër komuna duhet të merren si përgjegjësi në mënyrë që të dihen fituesit e merituar në nivel të Republikës së Kosovës”, thekson Latifi për “Bota sot”.
Por kush është meriton për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet lokale?
“Mendoj se meritor ishin të gjithë votuesit që e deshtën ndryshimin, sidomos për fitoren në Prishtinë. Kandidati i LDK-së z. Përparim Rama me programin dhe projektet e tij për Prishtinën, ishte më tërheqës për votuesit pasi qysh në fillim e ka mbajtur një distancë ndaj partisë dhe nuk e fshihte faktin se ka votuar dy herë Shpend Ahmetin. Por, vlen për t’u theksuar se z.Përparim Rama është përshtatur shumë me partinë e LDK-së për këta muaj gjatë fushatës zgjedhore. Ndërsa kundërkandidati, z. Arben Vitia i përngjante një burokrati dhe kishte frikë t’i thotë mendimet e veta”, deklaron Haki Latifi.
Për fund, Latifi thotë se LDK-në e presin fitore tjera edhe në të ardhmen.
“Njëherit, stabiliteti kadrovik e ideologjik po e gjen veten të konsoliduar në LDK-në e ish Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Prandaj, nëse LDK vazhdon me këtë ritëm të angazhimit dhe punës në terren, pa dyshim e presin fitore të reja në të ardhmen e afërt. Porosia e këtyre zgjedhjeve duhet të lexohet mirë nga lideri i LDK-së z. Lumir Abdixhiku dhe kryetarët që fituan në komuna. Me fjalë tjera, duhet ta kenë të qartë se ata janë votuar për ta ulur kokën dhe për të punuar, për t‘i shërbyer qytetarëve, Komunës dhe vendit. Sepse zgjedhësi kosovarë nuk duron arrogancë, nuk të falë dhe të dënon me votë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.