Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se gjatë fushatës ka pasur një sërë projektesh që lidhen me rritjen e cilësisë së jetës së banorëve të kryeqytetit.
“Gjatë fushatës sime për kryetar të Prishtinës, kam prezantuar një sërë projektesh që lidhen drejtpërdrejt me këtë problem, e që për mua si kryetar janë ndër prioritetet kryesore në funksion të asaj që unë përherë e kam quajtur ngritje e vlerës shoqërore”.
“Projektet kyçe janë shtrirja e rrjetit të ngrohjes qendrore nëpër lagje të reja dhe në këtë kuadër kërkoj bashkëpunim të plotë dhe të ngushtë me MCC-në edhe në projektet që kanë për synim cilësinë e jetesës së banorëve të Prishtinës. Njëkohësisht, me rëndësi shumë të madhe edhe ruajtjen e pyjeve dhe zonave të gjelbra që, për fat të keq, po shkatërrohen nga prerjet ilegale”, tha Rama.
Rama, mes tjerash, ka folur edhe për cilësinë e ajrit, ku ka deklaruar se synim kanë që të mbjellin 250 hektarë drunj në Prishtinë, njofton Klankosova.tv.
“Një tjetër synim i yni është që Prishtinës t’i shtohet dukshëm gjelbërimi si një ndër mënyrat më efikase për pastrimin e ajrit dhe ruajtjen e mjedisit, e kjo do të bëhet me mbjelljen masive të drunjve në më së paku 250 hektarë,” u shpreh Rama