Mungesa e qasjes dhe asistentëve janë problemet kryesore me të cilat po vazhdojnë të përballen fëmijët me aftësi të kufizuara. Janë prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara që kërkojnë ndihmën nga shteti për punësimin e asistentëve, e nga Qeveria premtojnë që brenda katër vitesh do të punësohen 500 asistentë.
Uran Rrahmani është nxënës i klasës së shtatë dhe vijon mësimet ne shkollën “Mihal Grameno” aneksi I në Fushë Kosovë. Për shkak të mungesës së një ashensori, klasa e tij është e vetmja paralele nga klasat e shtata që gjendet në katin përdhese.
Atë e shoqëron çdo ditë nëna e tij për në shkollë, e për të paguajnë edhe një asistente që i ndihmon gjatë procesit mësimor.
Mimoza Bytyqi-Rrahmani, nëna e Uranit, thotë se qasja dhe mungesa e asistentëve janë problemet kryesore me të cilat përballen prindërit që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.
“Siç edhe e patë ju në momentin kur ne hymë në klasë qasja nuk mungon, e kemi shumë të lehtë të hyjmë dhe të vijmë deri tek klasa. Mirëpo nuk do të thotë sikur këtu e kemi edhe nëpër vendet e tjera. Ne shpresojmë që qasja që është gjëja e parë të mundësohet edhe nëpër hapësirat e tjera publike sidomos, po edhe ato të çdoditshme. Mungesa e një tualeti për persona me aftësi të kufizuara që është edhe e qasshme edhe e duhura mungon në shkollën ku Urani edhe vijon mësimin. Pastaj një ashensor ku mund të shkohet edhe nëpër hapësirat tjera përveç katit të parë i cili është i disponueshëm”, thotë ajo.
Ajo thotë se shpreson që me shpalljen e vitit 2022, si vit i personave me aftësi të kufizuara, të nisë realizimi i premtimeve për ofrimin e kushteve më të mira për këta fëmijë.
“Ne asnjëherë nuk kemi marrë asistentë prej shtetit, ne kemi angazhuar asistentë ne privatisht, i kemi paguar edhe shumë vështirë t’i gjejmë, mungojnë, nuk janë personel adekuat, do të thotë ne duhet pastaj të zgjedhim të marrim një njëri i cili është i mirë, është i dashur, ndoshta edhe që nuk e ka përgatitjen e duhur profesionale mirëpo ajo është mbi të gjitha. Për momentin jemi kështu, presim që të realizohen ato premtime edhe që të mundësohet zhvillimi i mësimit”, thotë ajo.
Eldin Gashi, përfaqësues i grupit avokues të fëmijëve me aftësi të kufizuara “Hëna”, deklaron se barriera e parë me të cilën përballën këta fëmijë është mungesa e qasjes.
“Në hyrje të një objekti që nuk ka qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara, aty e gjejmë barrierën më të madhe për një person me aftësi të kufizuara sepse Kosova nuk ka krijuar qasje për fëmijët. Ne po lobojmë që të bëhet qasja edhe ne të ndjehemi gjithëpërfshirës në shoqëri. […] Ne dëshirojmë që të kemi një lehtësim sa më të madh në qasje edhe me qenë më gjithëpërfshirës në shoqëri dhe mos me pas diskriminime apo paragjykime për neve që ne me u ndje sa më të lirshëm”, thotë ai.
Me vështirësitë që i kanë fëmijët me aftësi të kufizuara thotë të jenë e njoftuar edhe ministrja Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila potencon se për këtë vit kanë buxhetuar punësimi e 100 asistentëve.
E para e Arsimit thotë se gjatë katër viteve të ardhshme do të punojnë në përmirësimin e infrastrukturës fizike të objekteve shkollore, por edhe premton punësimin e 500 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara.
“Brenda mandatit tonë qeverisës do të sigurohemi që të kemi së paku 500 asistentë në institucionet tona edukativo-arsimore. Pra, për katër vitet e ardhshme do të punësojmë secilin vit nga 100 asistentë dhe ajo që është e rëndësishme është që unë besoj që do të kemi edhe mundësi që në bashkëpunim me partnerët tanë që punojnë në këtë drejtim… do të sigurohemi që edhe mësimdhënësit që punojnë në punën e tyre të përditshme dhe i kanë të integruar fëmijët me nevoja të veçanta në klasat e tyre të jenë kompetent për të ofruar mësimin edhe për këta fëmijë”, thotë Nagavci.
Ndonëse e quan si hap të rëndësishëm punësimin e asistentëve, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, thotë se qeveria duhet të investojë edhe në zhvillimin e tyre profesional.
“Neve nuk gjykojmë që kjo është zgjidhja e tërë problemit, është pastaj zhvillimi profesional i këtyre asistentëve, përkushtimi i tyre, një llogaridhënie e po të njëjtëve që do të na siguronte një rezultat nga angazhimi i tyre. Pra nuk kemi nevojë për angazhim administrativ të asistentëve, kemi nevojë për asistentë që kanë një kapacitet të mjaftueshëm metodologjik dhe pedagogjik për ofrim të asaj përkrahje dhe mësimdhënies për këto kategori të mësimdhënësve”, thotë Qehaja.
Sipas tij, investimet në infrastrukturën shkollore për fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të jetë prioritet i nivelit lokal.
Ky vit është shpallur nga ana e Qeverisë së Kosovës si vit i personave me aftësi të kufizuara, ku brenda gjithë vitit do të organizohen aktivitete të shumta.