Sht. Nën 23rd, 2024

Erdogan në Parlamentin e Shqipërisë: Kemi 600 vjet miqësi, tani edhe aleatë strategjikë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij sot në Kuvendin e Shqipërisë, deklaroi se Turqia dhe Shqipëria kanë lidhje të forta historike dhe janë aleatë strategjikë.

Erdogan përmendi njohjen e menjëhershme të Kosovës si shtet i pavarur, ndërsa tha se dy popujt janë miq që prej 600 vjetësh.

“Edhe pse ka kufij fizik mes nesh, për ne Shqipëria është fqinji ynë në zemër. Marrëdhëniet tona janë të rrënjosura në një histori të gjatë dhe të fortë, që përfshinë gati 6 shekuj. Gjurmët e historisë sonë të përbashkët nuk janë vetëm në jetën politike, ato i gjen në ndërtesat e ngurta të Shkodrës. Marrëveshjet tona të bashkëpunimit, të cilat rrënjët i kanë të thella dhe po aq tradicionale, janë shumë të forta dhe të palëkundura”, tha ai.

Erdogan tha se njohin rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në Ballkan. Ai përmendi edhe njohjen e menjëhershme të Kosovës si shtet i pavarur.

“Krijimi një mjedisi të përhershëm paqeje, besimi dhe stabiliteti në Ballkan, sigurimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme turke. Në këtë aspekt, ne ndjekim me vlerësim rolin konstruktiv që ka luajtur Shqipëria në Ballkan. Dhe për njohjen e Kosovës si shtet I pavarur qoftë nga aleatët e NATO-s, kështu që roli i Shqipërisë I cili është servirur në Ballkan, ka qenë konstruktiv”, tha ai.

Erdogan tha se partneriteti strategjik Shqipëri-Turqi është, siç u shpreh ai, panorama e asaj që shohim sot.

“Kur Turqia dhe Shqipëri të bashkojnë duart me lejen e të madhit Zot, nuk do të ketë asnjë problem që nuk mund të kapërcejë apo ta zgjidhim… Për sa kohë ne mbrojmë fort vëllazërinë, qasjen gjithëpërfshirëse, qëllimet tona, të përbashkëta dhe vendosmërinë tonë për të çuar përpara bashkëpunimin tonë, unë sinqerisht besoj se së bashku nuk do të lejojmë askënd të prishë këtë panoramë të bukur dhe kaq të këndshme siç po e shikojmë të gjithë së bashku”, theksoi ai.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla theksoi se solidarizimi dhe mbështetja në ditët e vështira të tërmetit dhe pandemisë reflektojnë më së miri marrëdhëniet vëllazërore midis Shqipërisë dhe Turqisë.

“Solidarizimi dhe mbështetja në ditët e vështira të tërmetit dhe pandemisë reflektojnë më së miri marrëdhëniet vëllazërore që janë midis popujve tanë. Marrëdhëniet tona nuk janë thjesht vëllazërore, solidare e njerëzore, Shqipëria dhe Turqia janë partner të besueshëm në NATO dhe në përpjekjet e përbashkëta për zhvillim, për siguri, për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon, kontinent e më gjerë”, tha Nikolla.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot dorëzuan çelësat e apartamenteve në Laç për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Zona 1 e lagjes së re në Laç, projekti i financuar nga Turqia, ka 522 apartamente, 13 banesa kolektive dhe 26 hyrje pallatesh. Pjesë e lagjes së re janë edhe 25 njësi shërbimi, 380 vende parkimi, një qendër tregtare me 12 njësi shërbimi, një kënd lojërash dhe hapësira të gjelbra. Kostoja e këtij projektit është rreth 42 milionë euro.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *