Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po mbajnë konferencë për media
I pari i ekzekutivit ka thënë se të hënën zyra e ZRRE ka publikuar raportin konsultativ për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave.
“Si pasojë e krizës globale energjetike që ka shkaktuar rritjen e çmimit të energjisë, zyra e ZRRE ka filluar me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave. ZRRE dhe bordi i saj janë të pavarur dhe nuk mund të ndikohen nga askush. Heqja e bllok tarifave ka qenë gabim shumë i madh. Kjo krizë vetëm sa i ka theksuar problemet që i kemi trashëguar. Çmimet e tanishme tregojnë se kriza do të zgjasë shumë përtej dimrit. Ministria e Ekonomisë ka shprehur gatishmëri që të vë në dispozicion një subvencionim deri në 75 milionë euro”, ka thënë ndër të tjera Kurti në këtë konferencë.
Më tutje, ai ka thënë se janë dy faktor kryesor që të kemi këtë krizë, njëri është i jashtëm, ndërsa faktori tjetër është se, sipas tij, Kosova për 20 vite është lënë në mëshirë të tregtarëve të energjisë.
“Politikbërësit në pozicione vendimmarrëse prioritet i kanë dhënë prodhuesve të tjerë në shtete të rajonit. Edhe pse në KEK nga paslufta janë investuar mbi një miliard euro gjendja është njësoj, sikur kemi dalë paslufte”, ka shtuar Kurti.
Më tej, ai ka thënë se ZRRE ka vënë para nesh zgjidhjen financiare të krizës. Çmimi i propozuar nga ZRRE, sipas Kurtit, është barrë shumë e rëndë për t’u përballuar nga qytetarët.
Kurti ka thënë se ngritja e tarifave nuk i ka prekur bizneset. Qeveria e Kosovës, sipas tij, do ta rris mbështetjen për konsumatorët në nevojë.
Krejt në fund, ai ka thënë se rritja e çmimit të energjisë nuk ka ndodhur të pjesa e energjisë së prodhuar në Kosovë dhe se ngritja ka ndodhë në pjesën e importuar.