Mar. Nën 26th, 2024

Opozita lëshon seancën pas dështimit të votimit të propozim rezolutës për energjinë

Pas mungesës së vendimmarrjes lidhur me propozim rezolutën e dalë nga debati parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, Partia Demokratike ka thënë që nuk do të qëndrojnë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Shefi i deputetëve të kësaj partie, Abelard Tahiri ka thënë nuk ka temë më të rëndësishëm që mund të diskutohet sot në Kuvend se ajo që lidhet me shtrenjtimin e energjisë elektrike. Sikurse PDK edhe partitë tjera opozitare e kanë braktisur seancën.

Tahiri i PDK-së ka kritikuar partinë në pushtet deputetët e të cilës nuk kanë marrë pjesë në votimin e kësaj propozim rezolute.

“Kuvendi pat kuorum të mjaftueshëm për të marrë vendim që këto bllok tarifa të propozuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë elektrike sot të votohen kundër përmes kësaj rezolute, pra përfaqësues të qytetarëve të Kosovës që sot janë në këtë Kuvend do të duhej të kenë qëndrim për këtë çështje, dhe ne si parti opozitare deklaruam votën tonë ndërsa pushteti abstenoi nga votimi gjë që është e papranueshme sepse këtu shihet qartë që kemi një koordinim jashtëzakonisht të mirë të këtij grupi parlamentar pra të mazhorancës Lëvizjes Vetëvendosje me kryeministrin Kurti dhe ZRrE-në”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka përmendur edhe katër komunat në veri të cilat nuk janë përfshirë në këto bllok tarifa, për çka ka thënë se ky është një tjetër problem politik.

“Aq më keq që dje gjatë prezantimit të raportit të ZRrE-së tashmë na ka dalë edhe një problem tjetër politik, që katër komunat në veri të Kosovës nuk janë të përfshira në këto bllok tarifa, prandaj ne si grup parlamentar i PDK-së nuk do të vazhdojmë më tutje të qëndrojmë në këtë seancë sepse nuk ka çështje më të rëndësishme për qytetarët në këto momente se hedhja posht e këtyre blloktarifave, çkado që diskutojmë është krejt e parëndësishme, ne nuk do të mundësojmë vazhdimin tutje të kësaj seance sepse mendojmë që po i bëhet dëm i madh qytetarëve të Kosovës, pra hyrja në fuqi pas dy dite e këtyre bllok tarifave shtrenjti i energjisë elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës është një dëm i madh”, ka shtuar Tahiri.

Propozim rezoluta nga partitë opozitare ka dalë nga debati parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *