Sht. Nën 23rd, 2024

ShBA ndihmon Kosovën edhe me 3 milionë dollarë në luftën kundër pandemisë

Shtetet e Bashkuara, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë ndarë 3 milionë dollarë shtesë ndihmë urgjente ndaj Kosovës për COVID-19.

Kjo ndihmë do të mbështes forcimin e mbrojtjes së fëmijëve të cenueshëm që janë goditur nga pandemia dhe do të sigurojë vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve sociale themelore.

Ajo gjithashtu do të përmirësojë shërbimet në terren në kuadër të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor për të promovuar vaksinimin dhe dixhitalizuar bazën e të dhënave mbi menaxhimin e rasteve të COVID-19 me qëllim të lehtësimit të shkëmbimit të shpejtë të informatave në mes të institucioneve shëndetësore.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19 dhe janë veçanërisht të fokusuara në zvogëlimin e ndikimeve të saj në popullatat e margjinalizuara. Luftimi i një pandemie globale kërkon përkushtimin e secilit prej nesh – prandaj, bëni pjesën tuaj të punës, lani duart, mbani maskë dhe vaksinohuni”, tha Zeinah Salahi, Drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë

Ndihma financiare prej 3 milionë dollarë amerikan i është shtuar aktivitetit “Reagimi ndaj Pandemisë”, i cili zbatohet përmes UNICEF-it dhe ndërton mbi ndihmën paraprake në vlerë prej 5.1 milionë dollarë amerikan për COVID-19 që USAID-i zotoi për Kosovën gjatë pandemisë.

“Që kur Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19, USAID-i ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t’u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19. Vitin e kaluar, USAID-i shpërndau 249 komplete higjienike në qendrat shëndetësore; 7,750 komplete higjienike për familjet dhe 2,400 pako higjienike për nënat dhe foshnjat në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Me fillimin e vitit shkollor, USAID-i gjithashtu u dhuroi komplete higjienike 660 shkollave fillore dhe të mesme. Aktiviteti Reagimi ndaj Pandemisë gjithashtu punon në avancimin e komunikimit dhe informimit publik lidhur me fushatat e parandalimit dhe vaksinimit kundër COVID-19 në vend, forcimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë të vaksinave dhe funksionalizimin e qendrave të përkohshme të vaksinimit” thuhet në deklaratën e USAID-it.

Shtetet e Bashkuara mbeten donatori më i madh bilateral i sistemit shëndetësor të Kosovës në forcimin e reagimit ndaj COVID-19.

Në fillim të pandemisë, Shtetet e Bashkuara siguruan 50 respiratorë të papërdorur si pjesë e një pakoje mbështetëse që përfshinte pajisje shoqëruese të respiratorëve, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinare online.

Pak kohë mmë parë, USAID-i siguroi shpërndarjen e 538,200 dozave të vaksinës Pfizer.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *