Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria Rajonale e Prizrenit ka suspenduar përkohësisht dy zyrtarë policorë dhe ndaj pesë zyrtarëve të tjerë ka iniciuar procedurë të brendshme disiplinore, të cilët kanë qenë të inkuadruar në realizimin e planit policor në asistencë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP-së) në komunën e Suharekës, me ç ‘rast kanë arrestuar një person për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Suspendimi i tyre është mbështetur në udhëzimin administrativ të PK-së për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, me qëllim të hetimit dhe sqarimit të veprimeve dhe sjelljeve të tyre në këtë rast. Lidhur me këtë rast është njoftuar Drejtoria e Standardeve Profesionale e PK-se dhe Inspektorati Policor (IPK).
Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime.