Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih ka zhvilluar një takim me homologen e tij nga Estonia Kaja Kallas.
Kurti dhe Kallas, në takim folën për marrëdhëniet e mira në mes dy vendeve, për arritjet dhe sfidat e qeverive respektive gjatë vitit të kaluar, për menaxhimin e pandemisë, ringjalljen e ekonomisë dhe ballafaqimin me krizën globale energjetike, si dhe për situatën në Ukrainë.
I pari i Qeverisë së Kosovës tha se qeverisja e mirë dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit është pasqyruar edhe në raporte ndërkombëtare, sikurse ai i Transparency International.
“Menaxhimi i suksesshëm i pandemisë dhe fushata e suksesshme e vaksinimit masiv të popullatës, së bashku me besimin e madh në institucionet qeverisëse, ka ndikuar në përgjigjen pozitive të ekonomisë së vendit gjatë viti 2021. Ndërkaq, qeverisja e mira dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit është pasqyruar edhe në raporte ndërkombëtare, sikurse ai i Transparency International, përkatësisht në indeksin e perceptimit të korrupsionit, në të cilin Kosova vitin e kaluar ka shënuar përmirësim rekord vjetor për 17 vende”-tha Kurti.
Shefja e ekzekutivit estonez e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Kosovën për marrëdhëniet e mira bilaterale.
Për të diskutuar më gjerësisht mbi format e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, ajo e ftoi kryeministrin Kurti për vizitë zyrtare në Estoni.