“Devolli Corporation” i është përgjigjur menjëherë ftesës publike bërë nga Kryeministri Albin Kurti për të kontribuar në Fondin e Sigurisë, duke zotuar shumën prej 500 mijë eurosh.
Aksionari Shkëlqim Devolli ka thënë se e vlerëson lart angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të siguruar mjete shtesë për të rritur sigurinë shtetërore.
“Është një hap i duhur dhe ne duam ta shprehim mbështetjen tonë që në ditën e parë, duke vlerësuar se secilit prej nesh i takon të kontribojë në sigurinë e atdheut tonë, kur atdheu na thërret. Kompanitë e ‘Devolli Corporation’ do të jenë në shërbim të institucioneve të shtetit edhe për ndihma të tjera, si financiare ashtu edhe me mallra”, është shprehur Devolli.
Kryeministri Kurti ka ftuar qytetarët dhe donatorët e tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore, duke themeluar “Fondin e Sigurisë” në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas të parit të qeverisë, mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës.