Sht. Nën 23rd, 2024

Dyshime për orkestrim të rritjes së çmimit të naftës

Trajektorja e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare ka marrë teposhtën. Por, në Kosovë po ndodh e kundërta. Një litër naftë gjatë së mërkurës është shtrenjtuar për 10 centë.

Derisa një ditë më parë çmimi ishte 1 euro e 59 centë, tani ka arritur në 1 euro e 69 centë në shumicën e pikave të karburantit.

Edhe pse sa herë që ka rritje në këto tregje ato pasqyrohen menjëherë në tabelat e pikave të karburanteve. E kundërta, nuk reflektohet kur ka rënie.

Për këtë ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë, e cila ka thënë se paralajmërimet e kësaj ngjarjeje dhe sinkronizimi lënë hapësirë për dyshim në orkestrim të rritjes së çmimit.

“Autoritetet po inspektojnë në terren. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i inkurajon qytetarët t’i adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në çdo rast që gjykojnë se ka keqpërdorim, abuzim, në çdo pikë të shitjes që e hasin këtë problem”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Që nga nisja e luftës në Ukrainë, çmimi i naftës në botë ka shënuar rritje të madhe. Në Kosovë arriti në vlerë rekorde prej mbi 1.8 euro.

Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se është kundër çdo abuzimi apo keqpërdorimi në sektorin e naftës. Por, sipas tij, çmimet e derivateve janë problem në tërë globin.

jemi duke e respektuar vendimin e Qeverisë për marzhë tregtare. Por, lus kryeministrin Albin Kurti, se ky vendim po i dëmton bizneset e vogla dhe të mesme. Ka shumë kompani që janë në buzë të falimentimit, sepse me marzhë tregtare prej 6 për qind, një pikë karburanti s’mund të mbijetojë, e 4 për qind prej importuesit është marzha tepër e lartë që edhe importuesit janë pajtuar që të jetë 2 për qind importi dhe 8 për qind me pakicë”, ka thënë Berjani.

Nga Shoqata e Naftëtarëve kanë paralajmëruar se s’do të ketë stabilitet të çmimeve në tregun e karburanteve deri në përfundim të luftës në Ukrainë.

E qytetarët thonë se çmimet e derivateve janë të papërballueshme për standardin e jetesës në Kosovë.

Edhe Shoqata e Transportit Rrugor ka reaguar ndaj çmimeve, duke thënë se kjo do të shpijë këtë sektor drejt falimentimit.

“Nafta një litër 1.69€, e çmimi i biletës së udhëtimit me autobus mbetet i njëjtë. Kjo ndodh vetëm në Kosovë e sektori i transportit rrugor të udhëtimeve me autobusë është gjithmonë më i dëmtuari dhe pa përkrahje. Një gjë është e sigurt, që kemi hyrë në rrugë pa kthim drejt falimentimit final”, ka pohuar Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor.

Çmimet e naftës filluan të rriten nga tetori i vitit të kaluar, duke arritur kulmin më 8 mars të këtij viti, ku një barelë kushtonte 127 dollarë.

Të martën u raportua për rënie të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, për shkak të avancimit të bisedimeve në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Një barelë naftë e papërpunuar në bursa është rreth 110 dollarë. Një barelë naftë ka rreth 159 litra.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *