Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas raportimeve se në konkursin e shpallur në KEK janë punësuar familjarë të anëtarëve të Vetëvendosjes. Abdixhiku punësimet në këtë korporatë i ka quajtur si model i pushtetit në vend dhe ka paralajmëruar kallëzim penal.
“Plot 4668 qytetarë tanë kanë aplikuar për 128 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës – pra në KEK. Ky aplikim i tyre nuk kishte fare rëndësi, sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet. Ky është modeli i pushtetit në vend. Kapje e nepotizëm masiv i çdo vendi e çdo ndërmarrje pa dallim; dhe atë hapur e pa brengë. Ata që e arsyetojnë kapjen, që normalizojnë zëvendësimin e një kapësi me tjetrin, le t’iu flasin sot të katër mijë aplikantëve që janë refuzuar sepse s’kishin parti. Le t’i bindin tani – ata e familjet e tyre – se dëshpërimi e ikja nga ky vend nuk është alternative”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se nesër do të dorëzojnë kallëzim penal në Prokurori.
“Sot, kemi ftuar Prokurorinë të nisë hetimet mbi këtë proces skandaloz e korruptiv. Nesër do të dorëzojmë dhe kallëzim penal në Prokurori. Kemi ftuar dhe menaxhmentin e KEK-ut të anulojë procesin në fjalë e t’i suspendojë të gjithë anëtarët e Komisionit Vlerësues; dhe të rinisë kështu një proces të ri, të hapur dhe mbi të gjitha të drejtë”, ka thënë Abdixhiku.