Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe Gjykatësin e Procedurës Paraprake pas zhvillimit të një hetimi intensiv, sot kanë kontrolluar dy banesa në Prishtinë ku kanë arrestuar katër persona të dyshuar, tre femra dhe një mashkull, të gjithë kosovarë.
Të dyshuarit: K.K., (1979) A.M, (2001), XH.M., (1991), A.R., (2001) janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “trafikim me njerëz dhe posedim i narkotikëve’’.
Policia si provë materiale ka konfiskuar pajisje elektronike: katër telefona mobil, një llaptop, dy USB dhe 2 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë së bashku me pajisjet për bluarjen e narkotikeve.
Lidhur me këtë rast, viktima (femër) e trafikimit është trajtuar sipas procedurave standarde për viktimat e trafikimit.
Me aktvendim të prokurorit katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale që përcakton me kod penal dhe do të vazhdojë të ndërmarr masa ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin