Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se është i bindur që tërheqja e 30% të Trustit do të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Tahiri në një konferencë për media tha se për këtë çështje do të bisedojnë edhe me deputetët e pozitës.
“Ne do të bisedojmë edhe me shumicën. Do të dakordohemi si opozitë që të jemi të gjithë dhe njëkohësisht do të bisedojmë me gjitha grupet parlamentare që të kalojë. Tërheqja e Trustit duhet të kalojë në Kuvend dhe jam i bindur që do të kalojë”, tha ai.
Më tutje, deputeti i AAK-së tha se do të presin deri më 21 janar për të marrë një përgjigje nga Qeveria për këtë çështje.
Më pas ai tha se do ta procesojnë tutje kërkesën.
“Unë e kam pasur një diskutim dje. Edhe me z.Haxhiu. ne duhet të presim datën 21 kur Qeveria e Kosovës duhet të jap një përgjigje për këtë temë dhe do ta procesojmë. Ne jemi të bindur që janë pjekur kushtet për tërheqjen e 30% të Trustit, mendojmë që jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe sjellja e zakonshme e Qeverisë është e gabim”, tha ai.
Tahiri e pranoi se ka deputetë edhe të pozitës që e mbështesin tërheqjen e 30% të Trustit.
“Ne e mbështesim dhe po punojmë që të kalojë dhe do të kalojë. Jam i bindur që në seancë do të kalojë sepse deputetë edhe të pozitës edhe të opozitës do ta votojnë këtë”, deklaroi ai.