Kandidatët Mahir Tutuli dhe Ramiz Kuqi, janë dy gjyqtarët të cilët i kanë hyrë garës për pozitën e kryetarit të Gjykatës Komerciale.
Për këta dy kandidatë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) të premten ka përfunduar intervistat.
Intervistat janë zhvilluar nga Komisioni Vlerësues, i cili është në përbërje të kryetares së komisionit Teuta Ibrahimi dhe gjyqtarëve Drita Rexhaj dhe Avni Mehmeti, anëtarë të këtij komisioni.
Ndryshe, KGJK në takimin e 279-të, të mbajtur me 4 mars 2022 kishte shpallur konkursin për kryetar të Gjykatës Komerciale, konkurs për të cilin kanë aplikuar vetëm kandidatët e lartcekur.
Ndryshe, sipas Ligjit për Gjykatën Komerciale, për të ushtruar funksionin e kryetarit të Gjykatës Komerciale, kandidati duhet të ketë së paku 5 vite përvojë pune si gjyqtar i shkallës së dytë.
Po ashtu, sipas këtij Ligji, shtesë ndaj kritereve të lartcekura KGJK-ja do të konsiderojë, shkathtësitë menaxheriale dhe vlerësimin e performancës së kandidatit për kryetar të Gjykatës Komerciale.
“Betimi për Drejtësi” më poshtë sjell biografitë e dy kandidatëve për kryetar të Gjykatës Komerciale, biografi këto të publikuara në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit, ku aktualisht këta kandidatë e ushtrojnë funksionin.
Mahir Tutuli
Kandidati i parë që ka kanidauar për këtë pozitë është Mahir Tutuli, i cili është gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike. Gjyqtari Tutuli ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 2003. Ai kreu provimin e Jurisprudencës në vitin 2005, ndërsa praktikën profesionale e mbajti në Odën e Avokatëve të Kosovës në vitin 2003. Tutuli, gjithashtu ka punuar edhe si shef i Zyrës Ligjore në “Kosovo Enteprise Programe – KEP” prej 2007 deri më 2008.
Ndërsa, më 2010 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku dhe punoi deri më 31 dhjetor 2012. Në janar të 2013-ës, Tutuli u emërua gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pozitë të cilën e mbajti deri më 1 shtator 2015, kur edhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Ramiz Kuqi
Kandidati i dytë që i është futur kësaj gare është gjyqtari Ramiz Kuqi, i cili është gjyqtar në Departamentin Administrativ të kësaj gjykate. Kuqi ka diplomuar në vitin 1984, në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës. Ndërsa, provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 1988. Është master në të drejtën kushtetuese dhe administrative prej majit të vitit 2015.
Nga viti 1984 deri në vitin 1988, punoi si referent në BVI-në e sigurimit pensional dhe invalidor të Kosovës në Prishtinë. Po në këtë institucion në vitin 1989, u emërua përfaqësues juridik, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1999.
Si gjyqtar në Gjykatë Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë, e filloi punën në vitin 2000. Pas dhjetë vjetësh në këtë detyrë, në vitin 2010, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Lartë për Kundërvajtje po në Prishtinë. Nga 1 janari 2013 është gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Përpos gjuhës shqipe ( amëtare), flet edhe serbisht dhe anglisht.
Ndryshe, Ligji për Gjykatën Komerciale ka hyrë në fuqi më 25 shkurt 2022