Që nga 13 prilli, disa sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në veri të Mitrovicës. Për fat të mirë, asnjë zyrtar policor nuk ka pësuar nga këto sulme të cilat nga institucionet e Republikës së Kosovës janë vlerësuar si terroriste, raporton IndeksOnline.
Deri më tani zyrtarisht nuk është njoftuar për identifikimin apo arrestimin e kryesve të këtyre veprave penale.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla në një konferencë për media të mbajtur së bashku me drejtorin e policisë, Samedin Mehmeti, kishte thënë se është optimist që shumë shpejt policia do të vije me rezultate sa i përket pjesëtarëve të këtij grupi terrorist.
Për këto sulme sot është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se këto sulme kishin për qëllim vrasjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Kryeministri ka kërkuar hetime për zbardhjen e rastit.
“E kemi dënuar ashpër atë sulm i cili ishte terrorist. Me plumba dhe granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që pësuan vetëm dëme materiale. Organet e rendit duhet ta zbardhin rastin, në anën tjetër duhet vlerësuar situata e sigurisë se çka duhet të ndërmarrim në vijim në mënyrë që të pamundësojmë sulme të tilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, por sulme mbi policët me qëllim të vrasjes së tyre. Strukturat ilegale të Serbisë dhe krimi i organizuar nuk do të tolerohen nga Qeveria e Kosovës”, ka treguar Kurti.
Ai ka shtuar se deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk duhet të merren si fakte. “Për të gjithë hapët që marrim duhet t’i merrni informacionet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, kurrsesi nga Beogradi. Nuk ka nevojë që ata t’ju gënjejnë më shumë. Mos i merrni deklaratat e tyre për fakte”, ka thënë Kurti