Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për situatën e krijuar në rajon pas luftës ruse mbi Ukrainën.
Ai pas deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin, për Kosovën, u pyet nga gazetarët se mos në Ballkan pritet një Ukrainë e dytë, dhe përgjigjia e tij qe se një gjë e tillë nuk qëndron, porse mbetet në interesin e Kosovës dhe Serbisë ta bëjnë paqen përfundimtare.
”Ajo që po ndodhë në Ukrainë, nuk është arsye më shumë për të menduar se mund të kemi një Ukrainë të dytë në Ballkan. E tha komisioneri, e thonë të gjithë, se nuk ka asnjë rrugë tjetër. Se edhe historia e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, duhet të na mësojë shumë, për procesin e intensifikimit të paqes. Paqja nuk bëhet me mikun, paqja bëhet me armikun. E në këtë rast, paqja bëhet me armikun e djeshëm. E që nuk është miku i sotëm i Kosovës, por janë aty. Është realitet që është aty, dhe nuk e ndryshon dot askush”.
”Serbia po ashtu. Është në interesin e të dyja palëve, që të bëjnë paqen përfundimtare. Nuk diskutohet. Të gjithë qasja e të gjitha kancelerive europiane, qasjen e Brukselit, e të gjithë liderëve të Europës, përfshirë SHBA-të, nuk e kam gjetur një që thotë se Kosova nuk duhet të ulet në dialog me Serbinë. E këta nuk janë njerëz që janë proserbë, as antikosovarë. Këta njerëz janë ata që përfaqësojnë shpëtimtarët e Kosovës”.
”Kosovën e kanë shpëtuar këto shtete, Shtetet e BE-së dhe SHBA-së. Se pa këto Kosova nuk do të ishte e pavarur, me gjithë respektin për UÇK-në. Aty ka patjetër qëndrime të ndryshme, por kjo është”.