Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 23-vjetorin e Masakrës në Studime të Vushtrrisë.
Më 2 maj 1999, forcat e regjimit gjenocidal serb brenda dy orësh pushkatuan 116 civilë, në mesin e të cilëve djem, burra, gra, fëmijë dhe një nënë shtatzënë.
“Që nga fëmija 5-vjeçar, nëna shtatzënë e deri te më i moshuari, u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal serb brenda dy orësh. Kjo tregon qartazi për një krim monstruoz të planifikuar dhe për të cilin fatkeqësisht ende askush nuk është vënë para drejtësisë. Kjo është ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë. Nderimi për të rënët është obligim i yni, krahas angazhimit që autorët e krimit të vihen para drejtësisë”, ka theksuar Osmani.