Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka komentuar mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Ajo ka thënë se procesi i anëtarësimit është një proces i gjatë dhe se Kosovën e pret në rrugëtim për të cilin duhet të jetë e përgaditur.
“Ky është një proces i gjatë. Ne duhet të jemi të përgaditur, ky është vetëm hapi i parë. Kjo procedurë, për shtete të ndryshme ka zgjatur periudha të ndryshme. Prandaj, nuk kemi një indikator i cili mund të thojë a zgjatë një vit apo shtatë vjet, apo zgjat disa muaj, ajo është thjesht e pamundur të parashihet” ka deklaruar ministrja Gërvalla-Schwarz në një konferencë për media.
Tutje, e para e MPJ-së ka komentuar edhe për plotësimin e kushteve për anëtarësim nga ana e Kosovës, duke ndjekur rregullat e mirësjelljes dhe korrektësisë në raport me Këshillin e Evropës.
“Ne kemi strategjinë tonë të qartë dhe në bazë të strategjisë do të marrim hapat e nevojshëm” ka shtuar ministrja.
Gërvalla-Schwarz ka komentuar edhe deklaratat e Serbisë pas njoftimit të Republikës së Kosovës për dorëzim të aplikacionit ne KIE.
“Fakti që vetëm pak orë pas aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës, ata [Serbia] thonë që i kanë gati katër çnjohje, tregon dy gjëra: ose lajmi është i pavërtetë, ose ata kanë shumë kohë që punojnë për çnjohje, në dallim nga ajo çka deklarojnë publikisht. Dhe ne, është e vërtetë, kemi pasur informacione nga shtetet e ndryshme në kontinentet e tjera që Serbia në asnjë moment nuk ka pushuar së punuari për çnjohje të Kosovës nga shtete të ndryshme” deklaroi ministrja.
Megjithatë, sipas saj, kjo është një tjetër fushatë e dështuar e Serbisë, pasi ajo ka marrë garancinë e këtyre katër shteteve të cilët pohojnë se nuk do të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.