Die. Nën 24th, 2024

Kurti bën përmbledhjen e tri ditëve në Washington, tregon me kë u takua dhe çka bisedoi

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të takimeve të tij gjatë tri ditëve të qëndrimit në Washington DC dhe takimeve që ka pasur me zyrtarë amerikanë. Ai në një postim në Facebook tha se qëllimi kryesor i takimeve ishte avokimi për siguri dhe rritja e investimeve amerikane në Kosovë.

“Qëllimi ynë kryesor gjatë gjithë këtyre takimeve ishte për të avokuar sa më fuqishëm për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta të Republikës së Kosovës dhe ShBA-së. Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian, rritja e investimeve amerikane dhe vëmendja më e shtuar për sigurinë e Kosovës, ishin disa prej temave kyçe që diskutuam në Washington, D.C”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, Shefi i Stafit, Luan Dalipi dhe zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, ka takuar zyrtarë të administratës Biden dhe ligjvënës demokratë e republikanë.

Takimin e nivelit më të lartë me administratën e Bidenit, kryeministri Kurti e pati me Këshilltarin e presidentit amerikan për Siguri Kombëtare Jake Sullivan.

Ndërsa në Senat e Kongres është pritur nga kryetarët e komiteteve për Punë të Jashtme, Bob Menendez përkatësisht Gregory Meeks.

“Gjatë qëndrimit tonë triditor në Washington, D.C., zhvilluam një sërë takimesh të rëndësishme me zyrtarë të lartë të dy degëve politike të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dega ekzekutive dhe ajo legjislative. Takime të frytshme kemi zhvilluar me zyrtarët më të lartë të administratës Biden në fushat e sigurisë kombëtare dhe zhvillimit ndërkombëtar: z. Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë Kombëtare, dhe znj. Samantha Poëer, administratore e Agjencisë së ShBA-së për Zhvillimin Ndërkombëtar. Ndërsa, në Kongresin amerikan, jemi pritur nga udhëheqësit kryesorë në fushën e politikës së jashtme, z. Bob Menendez, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe z. Gregory Meeks, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, si dhe jemi takuar me senatorët Joni Ernst, Chris Murphy, Jeanne Shaheen, Thom Tillis dhe Ted Cruz, dhe me kongresistët Ritchie Torres, Jim Himes, Robert Aderholt, Lisa McClain, Carolyn Maloney, Darrell Issa, Elissa Slotkin, Mondaire Jones, Jim McGovern, Brad Schneider dhe Bill Keating”, ka thënë Kurti.

Tutje kreu i ekzekutivit tha se zyrtarët amerikanë e kanë përgëzuar për qëllimin e vizitës së tij në kryeqytetin amerikan.

“Nga të gjithë zyrtarët morëm mbështetje shprehimisht për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe pranuam falënderime për ndihmën që u kemi dhënë refugjatëve afganë, për rreshtimin përkrah ShBA-së dhe botës demokratike me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë pas invazionit ilegale të Ukrainës dhe për gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5,000 refugjatë prej atij konflikti. Po ashtu, zyrtarët amerikanë na përgëzuan për qëllimin gjatë vizitës sime në ShBA për të prezantuar mundësitë për investime dhe për të nxitur investitorë potencialë në Kosovë, një faktor ky i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tone”, shkroi tutje Kurti.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *