Me rastin e vdekjes së ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se ai ishte shembull i politikanit racional e me integritet.
Osmani ka thënë se Nishani ka përkrahur Kosovën deri në frymën e fundit.
“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Bujar Nishani ishte 58 vjeç dhe ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017.
Më herët ai kishte mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë.