Die. Nën 24th, 2024

Heronjt e shëndetësisë mund të bredhin rrugëve, 1271 punëtorë në fatin e Qeverisë Kurti

Ka kohë që punëtorët shëndetësorë llogariteshin si heronjt tanë ngase me punën e bërë në pandemi kanë rrezikuar shëndetin e tyre, për të mbajtur nën kontroll shëndetin publik në Kosovë.

Sot pas 3 muajsh, 1271 punëtorët e angazhuar si staf ndihmës shëndetësorë kanë buzëqeshur ngase Qeveria me një vendim të marrë dje ka procesuar pagat për dy muajt e kaluar.

Megjithatë, buzëqeshja e 1271 punëtorëve mund të ngryset shpejt. Kjo pasi që punëtorët e angazhuar në të gjitha qendrat e shëndetësisë në Kosovë janë në ditët e fundit të kontratës.

Pavarësisht se pandemia nuk ka përfunduar, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë sinal për vazhdimin e kontratave të tyre.

Punëtorët e angazhuar si staf mbështetës raportohet se janë duke dhënë kontribut të madh në të gjitha qendrat dhe se puna e tyre është vlerësuar lart edhe nga SHSKUK.

Pak ditë më parë, SHSKUK kishte thënë për Indeksonline se janë në përgatitje të shkresës për Ministrinë e Shëndetësisë që të vazhdohen kontratat për stafin ndihmës.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës është duke përgatitur shkresën me arsyeshmëri për Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me nevojën që kanë klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme për stafin e angazhuar nga Ministria.

Ky staf ka kryer punë të mirë dhe nevojat për klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme është e madhe, andaj janë të nevojshëm edhe mëtej për të kryer shërbime shëndetësore për pacientët” thuhej në përgjigjen e SHSKUK-së.

Indeksonline ka dërguar pyetje në MSH dhe në Qeverinë e Kosovës, por që nuk ka patur asnjë përgjigje për fatin e 1271 punëtorëve shëndetësorë.

Në rast se nuk vazhdohen kontratat e këtyrë punëtorëve, 1271 familje do të mbesin pa një anëtarë të punësuar dhe të njëjtit me siguri se do të shohin zgjidhje daljen jashtë vendit, ashtu siç po veprojnë edhe shumë kolegë të tyre

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *