Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se do t’i ofronte Kosovës një marrëveshje ku në këmbim të linjitit do t’i jepte energji elektrike.
Sipas tij, Serbia do ta paguante edhe me para linjitin.
“Ne ishim të gatshëm t’i ofronim Prishtinës shkëmbim në mënyrë që të merrnim sasi të konsiderueshme të linjitit cilësor dhe të dërgonim energji elektrike. Nëse nuk e bëni, mund ta bëni të njëjtën gjë për para. Ne nuk kemi asnjë problem dhe jemi të gatshëm të flasim për këtë”, iu tha Vuçiq gazetarëve në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku u mbajt samiti për “Ballkanin e Hapur”, raporton Tanjug, transmeton Klankosova.tv.
Në kuadër të këtij samiti kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë firmosur katër marrëveshje.
Bëhet fjalë për marrëveshjet për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.
Për herë të parë në takimin në suaza të kësaj nisme mori pjesë edhe Mali i Zi.