Edhe këtë herë mes përplasjesh pozitë dhe opozitë nuk është votuar lista e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim në Komisionin hetimor parlamentar për dyshimet rreth keqmenaxhimit me energjinë 2006-2022.
Deputeti Armend Muja i ka propozuar emrat e bartësve të institucioneve që kanë qenë në pozita të ndryshme vendimmarrëse gjatë atyre periudhave, por kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.
“Ne propozojmë që të ftohet Arben Xhukaj, Justina Pulaj- Shiroka, Ahmet Shala, Lorik Fejzullahu, Bedri Hamza, Ali Hamiti ish-kryesues i bordit të ZRRE-së, Fadil Çitaku, Faton Dega, Teuta Beselica, Bernand Atlant këshilltar i transaksionit në lidhje me vendimmarrjen e ZRRE-së humbjet teknike dhe marrëveshjen me KEDS në atë kohë po flitet për privatizim po flasim për fazën e post privatizimit e kërkojmë Fllanza Hoxha, Berat Rukiqi, kryesues i bordit të KEK-ut në atë kohë”, ka thënë Muja.
Këtë propozim e ka kundërshtuar deputeti Armend Zemaj nga LDK-ja , i cili ka kërkuar rishikimin e listës.
“Unë ju kisha lutur ta shqyrtoni edhe njëherë saktë listën. Nuk mund të miratohet lista pa pozicione të njerëzve d.m.th. cila është ndërlidhja e tyre në këtë proces, sepse për disa u thanë për disa nuk u thanë, nuk u potencua vendimmarrja… Ne mund të fillojmë ad-hoc në kuptimin e intervistuesve se sa të fusim emra të përveshëm të bëjmë teori konspiracioni, të bëjmë lajme me emra politikë edhe administrativë” ka thënë Zemaj.
Mefail Bajqinofci nga LVV-ja ka thënë se duhet të punohet më shumë meqë tash e dy muaj nuk ka zgjidhje për këta emra në votim.
“Unë mendoj që nuk bën, por duhet të fillojmë ta gjejmë një zgjidhje dhe të fillojmë me vite nëse doni, por të mos pengohemi se po i bie që po pengohet një komision hetimor” ka thënë Bajqinofci.
Time Kadrijaj nga AKK-ja ka shtuar se deputetët e LVV-së po e kthejnë në pikën zero këtë komision.
“Kur të fillojmë prej dikujt duhet që të fillojmë nga viti 2006, pastaj të shkojmë me vit pas viti, por nëse niset nga një temë që ka qenë ndoshta mes viteve 2011 a 2012, ne prapë po mbesim në pikën zero” tha Kadrijaj.
Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja ka kërkuar të largohen nga lista të vdekurit dhe ata të cilët janë në Hagë.
“Ata emra që janë në Hagë dhe personat që kanë vdekur, ata duhet larguar dhe të votohet kjo listë”, tha Krasniqi
Deputeti nga radhët e PDK-së Rashit Qalaj ka kërkuar të thirret edhe Haki Abazi si dëshmitar.
“E kam një emër konkret që lidhet me atë kundërshtimin e Contra Globalit që ka qenë përpara Haki Abazi,” tha Qalaj.
Por Arbër Rexhaj nga LVV kërkoi që nga lista të mos largohen Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli të cilët janë në Hagë.
“Të shtohet Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, tha Rexhaj
Deputeti Hajdar Beqa i PDK-së tha se propozimi i Rexhajt nga VV-ja është në kundërshtim me mandatin e komisionit.
“Nëse Rexhaj e bind kryeministrin Kurti që ta bëjë një zotim me shkrim që garanton se Thaçi dhe Veseli mund të marrin pjesë në këtë komision, ne do t’i votojmë, por kjo çka po thotë Rexhaj është në kundërshtim me mandatin e komisionit dhe i bie se nuk dëshirojmë të kemi raport përfundimtar… Unë e kisha përfunduar mbledhjen edhe shihemi në mbledhje të radhës”, tha Beqaj.
Pas këtij debati komisioni hetimor ka shkuar në pauzë ku më pas opozita e ka lëshuar mbledhjen duke mos ua mundësuar kuorumin për votimin e listës duke e shtyrë për një fazë tjetër.