Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se kanë ndodhur keqpërdorime me librat amëz, shkruan indeksOnline.
Ajo tha se rastin e ka denoncuar në Polici dhe u ka ofruar një numër të dokumenteve me qëllim të zhvillimit të hetimeve.
Postimi:
Keqpërdorimet me librat amëz
Edhe një betejë me keqpërdorues. Kësaj radhe në lidhje me procesin e librave amëz ku si rezultat i kësaj kanë pësuar dhjetëra-mijëra studentë të cilët i kanë vijuar studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë.
Këta studentë për shumë vite nuk kanë mundur t’i verifikojnë diplomat e tyre për punësim dhe vazhdim të studimeve, për shkak se shumica e tyre, kanë rënë pre e mashtrimeve.
Për këtë arsye, muaj më parë kam kërkuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion e Policisë së Kosovës që të zhvillojë hetime në lidhje me këtë çështje.
Si Ministri kemi vënë në dispozicion të Policisë një numër të dokumenteve me qëllim të zhvillimit të hetimeve.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, përmes një shkrese kam kërkuar nga kjo Njësi e Policisë së Kosovës që konform legjislacionit në fuqi të më informojnë për procesin hetimor të deritanishëm në lidhje më këtë proces.
Si Ministre e Arsimit pres që kjo çështje të trajtohet me prioritet dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë.