Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka reaguar pas miratimit në Kuvend të Projektligjit për Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Ai ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit e ka paraparë studimin e fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës me mundësi financimi nga fondet amerikane, por Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar asokohe, por që e miratoi kur erdhi në pushtet.
“Këta që janë duke “qeverisur” tani e kanë sharë këtë pikë të marrëveshjes dhe e kanë kualifikuar si tradhti, se gjoja kjo hekurudhë i siguron qasje fqinjit verior në Portin e Durrësit. Ndërsa, sot këta mashtrues e sjellin për ratifikim në Kuvend marrëveshjen për këtë projekt për ta financuar bashkërisht me Shqipërinë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
“Është lajm i mirë që po realizohet ky projekt, por kjo qasje tregon se këta kanë mashtruar qytetarët për këtë projekt dhe në të gjitha qëndrimet e tyre”, ka shtuar ai.
Ndryshe, kostoja totale për realizimin e studimit te fizibilitetit dhe hartimit të projekt idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore Shqipëri – Kosovë, parashikohet të jetë rreth 1 milion e 980 mijë euro.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë do të ndajë shumën prej 1 milion euro, ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës 980 mijë euro