Gjykata Kushtetuese e ka publikuar vendimin e plotë lidhur me kërkesat që ishin bërë nga Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti lidhur me propozimin e Blerim Isufaj për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Në vendimin e lëshuar thuhet se kërkesat nga Kushtetuesja janë të papranueshme mbi baza procedurale, pasi thuhet se parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës.
“Në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesave të parashtruesve, Gjykata, së pari, theksoi se nuk është kontestuese që të njëjtit i janë drejtuar Gjykatës pa shteruar asnjë mjet juridik, siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës. Për pasojë, dhe për të vlerësuar nëse parashtruesit e kërkesave plotësojnë kriteret për t’u liruar nga ky detyrim kushtetues, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rasteve konkrete (i) parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës, për sa i takon shterimit të mjeteve juridike; (ii) praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës që ndërlidhet me kontestimin e vendimeve të Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, por edhe autoriteteve tjera publike, vendimet e të cilave janë kontestuar në kuptim të përzgjedhjes ose jo në funksione të caktuara publike; si dhe (iii) parimet relevante të shtjelluara nëpërmjet opinioneve të Komisionit të Venecias””.
“Në kontekst të të lartcekurave, Gjykata theksoi se bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kriteri i shterimit të mjeteve juridike, nuk mund të aplikohet në mënyrë tejet formaliste dhe rrjedhimisht, mund të ketë përjashtime, por vetëm nëse palët përkatëse, bazuar në parimin e barrës së provës, argumentojnë para Gjykatës se nuk ekziston mjeti juridik ose në të kundërtën, të argumentojnë se mjeti ekzistues juridik nuk është efektiv sepse (i) nuk është në “dispozicion dhe i qasshëm”; dhe (ii) nuk është “mjaftueshëm i sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë”. Për më tepër, bazuar në të njëjtën praktikë gjyqësore, parashtruesit përkatës duhet të argumentojnë që “kanë bërë gjithçka që mund të pritet në mënyrë të arsyeshme nga ata që të shterojnë mjetet juridike”, duke marrë parasysh se “dyshimet e thjeshta” të një parashtruesi rreth joefektivitetin të një mjeti juridik, nuk vlejnë si arsye për ta liruar nga detyrimet kushtetuese”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Për të parë vendimin e plotë, klikoni këtu.