Die. Nën 24th, 2024

KOSTT po kalon në vështirësi financiare

Qeveria e Kosovës i ka ndarë 40 milionë euro KOSTT-it, për çka ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se kjo po bëhet marrë parasysh situatën e vështirë financiare në të cilën por kalon KOSTT-i për shkak të obligimeve të pa përmbushura ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike.

Murati ka thënë se tani është koha kur marrëveshja parashihet të vazhdohet.

“Ne, si Ministri i Financave, kemi pranuar kërkesën nga Ministria e Ekonomisë për mbështetje të ndërmarrjeve publike marrë parasysh që ndërmarrja KOSTT po kalon në vështirësi financiare për shkak të obligimeve të pa përmbushura ndaj ENTSO me të cilën ka marrëveshje dhe duhet të respektohet në mënyrë që të vazhdojmë të jemi në të njëjtin bllok rregullues dhe të vazhdohet marrëveshja e cila ka qenë marrëveshje e paraparë për dy vite fillimisht, dhe tash është koha kur parashihet të vazhdohet. Në kuadër të kësaj kërkesa ka qenë për ndarje për mbështetje në kudër të ndërmarrjeve publike dhe sipas masës 4.6 aprovohet ndarja e 40 milionë euro që merren nga nënprogrami i ringjalljes ekonomike”, ka thënë Murati.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se marrëveshja e kyçjes së KSOT-ti që është dyvjeçare me mundësi ripërtëritje po skadon dhe është momenti kur 23 shtetet nënshkruese do të vendosin nëse do ta vazhdojnë marrëveshjen e kyçjes për Kosovën.

Ajo ka thënë se ruajtja e kësaj marrëveshje është thelbësore për Kosovën.

Në këtë mbledhje janë miratuar plotësim ndryshime lidhur me zbatimi e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Ky propozim-vendim përmban ndryshim-plotësimin e vendimit paraprak që kishte të bënte me ndarjen e mjeteve për mbështetjen e të punësuarve në sektorin publik dhe bëhet fjalë për disa prej kategorive që kanë mbetur pa u shqyrtuar në raundin e parë dhe kësisoj duhet të ketë mjete shtesë prej 100 mijë euro, pra nga ndarja prej 7.3 milionë euro duhet të bëhet 7.4 milionë euro, ky është ndryshim-plotësimi në mënyrë që të përmbushen të gjitha obligimet që dalin sipas vendimit”, ka thënë Murati.

Gjithashtu është miratuar propozimi i Muratit për 600 mijë euro në mbështetje të prodhuesve vendorë.

“Ndarjen buxhetore për mbështetjen e prodhuesve vendorë në kuadër të masës 2.4, pra mbështetja e prodhuesve dhe eksportit dhe bëhet fjalë për mbështetje shtesë prej 600 mijë euro për të gjithë prodhuesit, për ata që janë të kualifikuar, që të kenë mbështetje në ngritje të kapaciteteve, stafit menaxhues por edhe personelit që merr pjesë në prodhimtari, të kenë mbështetje në rritje të cilësisë së produkteve duke përmirësuar edhe ambalazhin apo marketingun por të kenë mbështetje dhe për pjesëmarrje në panaire. Kjo vije si mbështetje shtesë që është ndarë në kuadër të masës 2.1 ku kanë përfituar po ashtu prodhuesit me subvencion për investim në pajisje prodhuese”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se mjetet merren nga programi i ringjalljes ekonomike.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar shkarkimi i bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos” ku janë shkarkuar Afrim Mehmetaj, Selatin Retkoceri dhe Ilir Zhitia.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se të njëjtit kanë bërë shkelje të detyrave duke mos adresuar problemet me të cilat është përballuar kjo ndërmarrje.

“Ministria e Ekonomisë propozon shkarkimin e tre anëtarëve të bordit të ndërmarrjes publike Infrakos, Afrim Mehmetaj, Selatim Retkoceri, Ilir Zhitia. Ndërmarrja Publike Infraskos ka ngecur në realizmin e objektivave afariste, meqenëse për këtë ngecje nuk ka shkaqe objektive që mund të merreshin parasysh, qeveria konsideron se anëtarët e bordit kanë bërë shkelje të detyrave duke mos adresuar me efikasiteti ne duhur morinë e problemeve me të cilat kjo ndërmarrje ballafaqohet, andaj propozojmë shkarkimin e këtyre anëtarëve të bordit përderisa për të mundësuar funksionimin e rregullt të ndërmarrjes dhe mbikëqyrjen e rregullt të ndërmarrjes deri në emërimin e bordit të rregullt të ri, propozojmë të emërohet bordi i përkohshëm i drejtorëve në këtë ndërmarrje publike”, ka thënë ajo.

Dukagjin Kastrati do të jetë kryesues ndërsa Besarta Zuka, Shpend Xhuxha dhe Genc Hundozi anëtarë të përkohshëm të bordit të Infrakos.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka emëruar edhe bordet e drejtorëve në Trainkos, Kompaninë Rajonale të ujësjellësit Hidroregjioni Jugor në Prizren, Kompaninë Rajonale të Ujitjes Radoniqi-Dukagjini në Gjakovë; dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Bifurkacioni në Ferizaj.

Në këtë mbledhje janë miratuar dy vendime për t’i kërkuar presidentes së Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2021, në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe nënshkrimin e Amendamentit 2 të Marrëveshjes Financiare IPA 2018 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Gjithashtu në këtë mbledhje, kabineti qeveritar është informuar për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimi gjatë periudhës prill – qershor 2022, si dhe me Raportin e vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të Kuvendeve të Komunave për periudhën janar-qershor 2022.

Është miratuar edhe Raporti i punës i Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar për periudhën korrik 2021 – qershor 2022.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për caktimin e zonave të mbrojtura sanitare dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor nëntokësor që përdoret për pije “Puset e Konjuhit” në Komunën e Lipjanit.

Gjithashtu është miratuar Udhëzimi Administrativ për funksionimin e Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve.

Ndërsa për shënimin e 25-vjetorit të vdekjes së humanistes shqiptare Nënë Terezës, Qeveria ka themeluar Këshillin organizativ për këtë përvjetor.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *