Përfaqësuesit e Kolegjiumit për Arsimit në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, janë takar sot me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Në këtë takim, kryetari i sindikatës, Rrahman Jashari dhe sekretari Ymer Ymeri, njoftuan përfaqësuesit e Kolegjiumit për Arsim në lidhje me kronologjinë e kërkesave kundrejt Qeverisë së Kosovës dhe zhvillimet e fundit sa i përket grevës së përgjithshme në arsim.
“Kryesuesi i Kolegjiumit për Arsim z.Samir Shahini, bashkë me Drejtorët znj.Besianë Musmurati nga Drejtoria Komunale për Arsim në Prishtinë dhe z.Afrim Llabjani nga Drejtoria Komunale për Arsim në Ferizaj, paraqitën shqetësimin e Kolegjiumit në lidhje me neglizhencën e Qeverisë në raport me kërkesat e SBASHK-ut dhe shqetësimin e përbashkët mbi pasojat që greva do mund të sjellë në të gjitha nivelet dhe proceset në arsim”, thuhet në njoftimin për media të Asociacionit.
Tutje, bëhet e ditur se Kryesia e Kolegjiumit theksoi se pasojat e një greve të tillë i bartë niveli lokal, “përkundër faktit që zgjidhja nuk është në dorën e tyre”.
“Kolegjiumi është i gatshëm të ndihmoj në gjetjen e një zgjidhje, dhe ofron bashkëpunim për të gjitha palët e përfshira. Kolegjiumi për Arsim bëri thirrje për zgjidhje sa më të shpejtë duke uruar që palët përgjegjëse të marrin përgjegjësitë që u takojnë në interesin më të mirë të nxënësve dhe arsimit në vendin tonë”.