Sht. Nën 23rd, 2024

Analisti nga Uashingtoni: Dy herë e kam takuar Kurtin, ai dje përdori një taktikë në Bruksel

Damir Marushiq, bashkëpunëtor i lartë i Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik nga Uashingtoni, thotë se Kryeministri Kurti ka një strategji të tij, me të cilën po provon t’i aktivizojë evropianët dhe t’i bërë Serbisë presion. Ai thotë se nga përshtypjet që ka prej kur e ka takuar Kurtin, Kryeministri kosovar “e thotë atë që e beson”.

Marushiq e ka komentuar takimin e 18 gushtit mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuciq. Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, ai i tha se nuk ka shpresa që së shpejti do të arrihet një marrëveshje finale.

Sipas tij, diplomacia që inkurajon tensione, është një lojë e rrezikshme në një situatë me tensione në veri të Kosovës.

Marushiq thotë se Kryeministri Kurti po shtyn “një linjë” në negociatat me Serbinë.

“Në njërën anë, me të vërtetë duket se jemi në një ngërç serioz, ku është vështirë të shihet kur do të arrihet rezultat. Por në të njëjtën kohë, ka të bëjë me diplomacinë. Unë mendoj që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti është duke shtyrë këtë linjë, që në parim duhet të theksohen kundërshtimet, para se të arrihet ndonjë rezultat. Roli i diplomacisë është të merren situata të tilla dhe të jenë kreativë me to. Patjetër, ajo çfarë është e nevojshme për këtë është një vullnet i mirë, nga të dyja anët, dhe nuk e kemi parë këtë”, ka thënë ai.

Sipas Marushiqit, Kurti ka një strategji për t’i shtyrë evropianët të merren më intensivisht me dialogun dhe t’i bëjnë presion Serbisë. Por, thotë analistit, evorpianët janë të interesuar vetëm për stabilizim.

“Mendoj se logjika e Kurtit është se duke insistuar dhe duke theksuar kundërthëniet në dialog, do t’i shtyjë evropianët të jenë më proaktivë dhe t’i bëjnë presion Serbisë të pajtohet. Çfarë po shoh deri më tani megjithatë, evropianët specifikisht nuk janë të angazhuar aktivisht në këtë. Janë më të interesuar vetëm për stabilizimin e situatë”.

Marushiq thotë se e është takuar me Kurtin dhe se ai thotë atë që beson.

“Është definitivisht pozita e tij negociuese. E kam takuar Kurtin dy herë. Unë besoj se është një burrë që në përgjithësi thotë atë që beson. Ndryshe nga ajo kur shpesh na duhet të gjejmë se çfarë është pozita negociuese e dikujt, mendoj se me Kurtin, ai beson se rritja e presionit mund të çojë në ndonjë rezultat, ose ndonjë presion i shtuar ndaj Serbisë, për të arritur te një marrëveshje finale. Ai është i vendosur ta bëjë këtë. Por nuk shoh ndonjë rrugë të shpejtë për zgjidhjen e krizës, ashtu siç janë gjërat momentalisht”, thotë analisti nga Uashtingtoni.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *