Edhe pse pa marrëveshje takimi i zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për qytetarët ishte i pritshëm. Ata thonë se Serbisë duhet t’ i bëjnë presion ndërkombëtarët që të ketë një zgjidhje, derisa theksojnë se Serbia e ka humbur Kosovën dhe nuk mund të kthehet në koloni.
Qytetarët mendojnë se faktori ndërkombëtar do t’i bëjë presion të vazhdueshëm Serbisë që të arrihet një marrëveshje me Kosovën.
Shaban Bahtiri, qytetar thotë se zvarritja e bisedimeve për një kohë të gjatë, ishte plan i Vuçiqit dhe se udhëheqësit tanë kanë rënë nën ndikimin e tij.
“Zvarritja e bisedave tash e sa kohë, nuk është rastësi, ai është plan i Vuçiqit. Njerëzit tanë bien nën ndikim të tij dhe sa më parë që të zgjidhet problemi me Serbinë për popullin tonë edhe për popullin e Serbisë është shumë me interes, por dikujt po i përshtatet kjo dhe e zvarritja kështu dhe është kjo njerëzit tanë, udhëheqësit e Kosovës…kufiri është sikur sytë e ballit…njerëzit e aftë që dinë e që kanë kryer akademinë ushtarake këtu nuk duhet të e lejojnë në kufi askush me të prek se kufiri është sikur sytë…edhe nuk duhet me lejuar që askush me t’i prek në sy, e njerëzit tanë po e lejojnë…Kanë për të zvarritur por fati, amerikanët dhe gjermanët janë të vendosur, tash edhe sekretari i NATO-s, i ka ftuar të dytë dhe u ka thënë, nuk lejojmë luftë në Ballkan, e kjo po na shpëton por këta derisa të munden kanë me zvarrit”, thotë ai.
Ndërkaq për qytetarin Veli Veliu, faktori ndërkombëtar duhet të bëj presion që veriu të mbetet çështje e brendshme e Kosovës.
“Mendoj se faktori ndërkombëtarë në radhë të parë amerikanët por edhe Bashkimi Evropian, duhet të bëjnë presion në Serbi, se ta them të drejtën pushteti ka të drejtën të e shtrij Prishtina në veri, ajo është çështje e brendshme e Kosovës, dhe nuk duhet atë me qenë kundër shtetit të Kosovës dhe mos të funksionoj shteti i Kosovës, qëllimi i tij është me qenë atje anarki edhe bandat kriminele atje në mungesë të shtetit me torturuar edhe popullatën dhe me përfituar materialisht në mënyrë kundërligjore, kështu që duhet presion faktori ndërkombëtarë, nuk mundet Serbia, e ka humb luftën, e ka humb Kosovës, ajo po mendon me e kthye tash në rrethana paqësore po ndjeket politika e Milloshit, ajo e Milloshit ishte katastrofale e humbi, e tash ky po mundohet tash për herë të dytë të njëjtën politikë, e nuk mundet se po mendoj edhe Bashkimi Evropian nuk kanë të drejtë me e barazuar Kosovën me Serbinë se Serbia është fajtore, politika e tyre është me koncepte të vjetra. Nuk mundet Kosova me u kthyer në koloni”, tha ai.
Edhe për qytetarin Abdullah Bekteshi marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë, në rast se do të ndodhte, do të ishte befasi.
“Shumë është diskutabile, unë në bazë të përvojës sime personale që e kam mendoj se Vuçiqi në qoftë se ka pak hapësirë do të mundohet për me e shty për mos me bë marrëveshje dhe duke e parë se si është opinioni në Serbi vështirë është e besueshme me pranua ose të konkludojë që do të vijë deri tek një marrëveshje. Në qoftë se vjen te një marrëveshje kishte me qenë për mua personalisht deri diku befasi”, tha ai.
Takimi i së enjtes ishte i treti që Kurti e Vuçiq kanë realizuar në Bruksel, në kuadër të dialogut. Takimet në Bruksel u thirrën pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën nëntë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat e veturave dhe dokumentet serbe.
Ndonëse marrëveshje për këtë dy tema nuk u arrit, Josep Borrell njoftoi se palët janë pajtuar që bisedimet të vazhdojnë.