Sht. Nën 23rd, 2024

Ngritja e çmimeve të çimentos po dëmton ndërtuesit

Ngritja e çmimeve të materialeve ndërtimore, në veçanti e çimentos, ka ndikuar negativisht te bizneset e sidomos te ndërtuesit. Duke folur për Radio Kosovën, ekspertë të ekonomisë theksojnë se bizneset vendore çdo ditë po ballafaqohen me sfida të madha dhe kosto të papërballueshme.

Komuniteti i biznesit ka përjetuar një ngritje të çmimeve në të gjithë artikujt, ditëve të fundit. Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë për Radio Kosovën se aktualisht sfidat për të bërë biznes në vendin tonë janë të shumta. Këtë ngritje të çmimeve e kanë përdorur shumë spekulantë për përfitime grupore, klanore apo edhe politike, thotë Gërxhaliu.

“Ngritja e çmimit të çimentos këto ditë ka qenë shokuese, nga vetë fakti se lënda e parë e prodhimit është në Kosovë dhe e vetmja kosto që është direkte, është energjia elektrike. Ndërtimtaria nuk është vetëm ajo që shihet si objekt, por është ndërtim, arkitekturë, tregti, prodhim, punësim dhe rrënimi i një sistemi të tillë përmes një ngritje të tillë të çimentos në formë të pakontrolluar, do ta dëmtojë Kosovën në pozicione të shumta”,thotë ai.

Tutje Gërxhaliu specifikon edhe efektet negative që mund të sjellë kjo situatë, ndërsa bënë thirrje që të reagojë Inspektorati.

“Efekti më negativ do të jetë në sistemin bankar dhe financiar kur dihet se ky sektor është ngushtë i lidhur me institucione financiare, prandaj është koha kur Inspektorati ta thotë zërin e vet, agjencia e konkurrueshmërisë të jetë më aktive dhe monopole të tilla t’i takojnë të kaluarës”,pohon ai.

Lidhur me ngritjen e çmimit të çimentos, është protestuar para Kompanisë “Sharr-Cem” në Han të Elezit nga përfaqësues të bizneseve dhe të sektorit të prodhuesve të betonit. Përfaqësuesi i Shoqatës së Betonierave të Kosovës, Naim Mahmutaj, pati theksuar se ngritja e çmimit të çimentos, i ka vënë në pozitë të pafavorshme.

“Ngritja e shpeshtë e çmimit të çimentos shkakton probleme në operimin e bizneseve të sektori të prodhuesve të betonit dhe ndërtuesve në realizimin e projekteve dhe kontratave. Planifikimi i bizneseve dhe projektet ndërtimore zgjasin me vite, andaj ngritja kaq e shpeshtë dhe kaq e lartë e çmimit të çimentos, na ka vënë në pozita të pafavorshme dhe e bën të papërballueshëm vazhdimin e aktivitetit tonë me kushtet dhe çmimet e kontraktuara me klientët tanë”, thotë Mahmutaj.

Ndryshe, që nga fillimi i vitit 2022 çmimi i çimentos ka shënuar rritje prej 58.27 për qind, thonë përfaqësuesit e bizneseve, duke shënuar kështu rritjen e tretë brenda këtij viti.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *