Ish zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet që sa më parë t’i rrisë pagat në sektorin publik së paku deri në nivelin sa rritja e pagës ta reflektojë rritjen e kostos së jetesës.
Ai në një postim në Facebook, ka theksuar se Qeveria duhet të gjej gjuhë të përbashkët me sindikatat e punëtorëve të sektorit deri në miratimin e ligjit për paga.
Sipas tij, kërcënimi dhe ndëshkimi i grevistëve nuk është i drejtë e as nuk është zgjidhje.
Postimi i plotë:
Kosto e jetesës në Kosovë është rritur ndjeshëm kohëve të fundit.
Prandaj Qeveria e Kosovës duhet që sa më parë t’i rrisë pagat në sektorin publik së paku deri në nivelin sa rritja e pagës ta reflektojë rritjen e kostos së jetesës. Derisa kjo rritje e pagave të bëhet me ligjin përkatës që është në procedurë e sipër, Qeveria duhet të gjej gjuhë të përbashkët me sindikatat e punëtorëve të sektorit publik për të siguruar kompensim shtesë për punëtorët e sektorit publik.
Në rrethanat aktuale, kërcënimi e ndëshkimi i grevistëve nuk është as i drejtë e as nuk është zgjidhje.